Mançester Junajtid ka siguruar marrëveshjen më të madhe të sponsorizimit të fanellave në historinë e Premier Ligës një ditë më parë, pasi njoftoi një partneritet të ri 10- vjeçar me “Adidas”, kontratë e cila kap vlerën e 900 milionë paundëve.
Marrëveshja e re e zgjat bashkëpunimin e “djajve” me gjigantin gjerman të veshjeve sportive si furnizuesi i tyre zyrtar i veshjeve deri në vitin 2035 dhe garanton një rritje të konsiderueshme financiare nga kontrata e vjetër, duke i sjellë klubit 90 milionë paund në vit. Burimet e klubit thanë se marrëveshja u jep atyre siguri rreth burimit më të madh të të ardhurave për dekadën e ardhshme, duke përforcuar njëkohësisht stabilitetin financiar të klubit. Në një deklaratë të klubit thuhej: “Adidas dhe klubi i Mançester Junajtidit janë të kënaqur të njoftojnë zgjatjen e një prej partneriteteve më të rëndësishme në sportin botëror”.
Skuadra e Ten Hagut është një nga ekipet më aktive në merkaton e kësaj vere në Angli. Ata e kanë dërguar deri tani shifrën e investimit të tyre në 179 milionë paund, për transferimin e sulmuesit të Atalantës, Rasmus Hojlund, mesfushorit të Çelsit, Mejzon Maunt dhe portierit të Interit, Andre Onana.
PANORAMASPORT.AL