Simone Inzagi ka pasur në dispozicion dy ndeshje në turin japonez për të marrë përgjigjet që ka kërkuar nga skuadra e tij dhe në përfundim të miqësores ndaj PSG-së ka bërë edhe një bilanc të turneut. I vetëdijshëm se ka ende punë për të bërë, mbi të gjitha për t’i dhënë lojës zikaltër shkëlqimin që kërkon, trajneri e ka vlerësuar si pozitive eksperiencën në tokën aziatike.
Si e patë Interin ndaj PSG-së?
Ishte një ndeshje e rëndësishme kundër një ekipi shumë teknik dhe të fortë. I dimë cilësitë e tyre, kanë lojtarë të shkëlqyer dhe me aftësi fantastike driblimi. Vuajtëm fillimisht, më pas u organizuam mirë: përmirësuam menaxhimin e lojës dhe krijuam raste. Ne kaluam në disavantazh me një eurogol të Vitinjas, por ishim mjaftueshëm të aftë për ta përmbysur atë.
Për çfarë do të punoni pas rikthimit në Itali?
Për shkëlqimin e skuadrës. Mungon për momentin, por është normale dhe sigurisht që do ta gjejmë deri më 19 gusht. Puna që po bëjmë është e rëndësishme, po punojmë mirë edhe pse është shumë nxehtë. Ne do të përpiqemi të përmirësohemi më tej, por djemtë kanë treguar që janë në dispozicion të çdo gjëje dhe jam i kënaqur me mënyrën si po punojnë gjatë çdo seance stërvitore.
Në çfarë pike është gjendja e lojtarëve?
Ne kemi punuar që nga 13 korriku, ata që kanë qenë të angazhuar me kombëtaret kanë ardhur më 18 dhe kemi ende shumë për të punuar. Jam i kënaqur me përkushtimin që shoh çdo ditë nga djemtë.
Mund të na jepni një vlerësim të këtij turneu?
Ishte mirë, ishte puna që na duhej. Ka qenë shumë vapë, por e dinim atë që na priste. Jam i kënaqur nga gatishmëria që kanë treguar të gjithë lojtarët për të bërë më të mirën e tyre. mund të them që bilanci ishte pozitiv.
Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL