Liverpooli dhe Bayerni i Mynihut dhuruan spektakël në miqësoren e zhvilluar në Singapor, në stadiumin kombëtar “Kallang”, ku u shënuan plot shtatë gola.
Fitore me përmbysje 4-3 e kampionëve të Gjermanisë, që edhe pse pësuan dy gola brenda 28 minutave të para, ia dolën ta fitonin këtë miqësore luksi.
Gakpo dhe Van Dijk u dhanë epërsinë e dyfishtë “The Reds” duke tundur rrjetën përkatësisht në minutat 2’ dhe 28’.
Kundërpërgjigjja e bavarezëve erdhi brenda pjesës së parë me golat e Gnabryt (33’) dhe Sanesë (42’).
Në të 67-tën, Diaz, i shërbyer nga Salah, i dha për herë të dytë epërsinë Liverpoolit në këtë miqësore, por në minutat e fundit gjithçka foli për skuadrën e Thomas Tuchel, që jo vetëm barazoi me Stanisic (80’), por gjeti edhe golin e fitores në shtesë me Kratzig.