Karim Benzema duket se po mundohet që të shpërblejë Al Itihad për kontratën mbresëlënëse që ka nënshkruar me sulmuesin francez.
Golat e tij në sfidat e kësaj skuadre në Kupën e Kampioneve të Klubeve Arabe, po i japin sukses pas suksesi Al Itihad duke e bërë pretendente absolute për trofeun.
Ashtu si në dy ndeshjet paraardhëse, Karim Benzema gjeti rrjetën edhe në duelin e sotëm ndaj Al Shiorta, për t’i dhënë fitoren ekipit të tij me shifrat 2-1 dhe për të siguruar kreun e grupit me pikë të plota.
Edhe pse ishte lënë në stol në fillimin e sfidës, Benzema u aktivizua në pjesën e dytë dhe bëri diferencën në pak më shumë se 20 minuta në fushë.
Në minutën e 84-t ai shënoi me penallti golin që vulosi fatin e ndeshjes e cila ishte në shifrat 1-1 deri në ato momente.