Sharl De Ketelare mund t’i japë fund makthit të eksperiencës së tij te Milani. Mesfushori belg, i afruar me shumë bujë si “Kaka i ri” në Milano, ka dështuar plotësisht në vitin e tij të parë te kuqezinjtë dhe tashmë po bëhet gati për një tjetër eksperiencë.
Mediat italiane raportojnë prej ditësh për kontakte mes Atalantës dhe kuqezinjve për transferimin e futbollistit dhe duket se më në fund është gjetur një akord. De Ketelare do të transferohet në huazim për vlerën e 3 milionë eurove, ndërsa zikaltrit do të kenë të drejtën e blerjes së kartonit të tij në fund të këtij edicioni për 23 milionë euro. Te Milani janë dorëzuar sa i përket futbollistit dhe shpresojnë që të bindë Atalantën që ta blejë, pasi nuk kanë vendosur në kontratë klauzolën e kundërofertës.
De Ketelare ka marrë një ofertë edhe nga Real Sociedad, por mendohet se sot do të kthejë përgjigjen pozitive përfundimtare për Atalantën dhe të firmosë transferimin e tij te bergamaskët. Një klub ku janë rivlerësuar shumë futbollsitë, e ku ai pret të ndodhë e njëjta gjë edhe me të.
PANORAMASPORT.AL