Pep Guardiola bëhet gati për një tjetër sezon fantastik pas atij historik ku fitoi tripletën me Mançester Sitin. Trofeun e parë sezonal, Superkupën e Anglisë, “qytetarët” e diskutojnë të dielën kundër Arsenalit në “Wembley” ora 17:00. Ndërsa konfirmon transferimin e Joshko Gvardiolit, trajneri i Sitit vlerëson skuadrën e Artetës si rivalin edhe të këtij sezoni për skuadrën e tij.
Çfarë mund të na thoni për të ardhmen e Uokerit dhe Silvës?
Cfarë mund të them për ta? Ata janë kaq të rëndësishëm për ne. Ne i duam në skuadër, kështu që do të bëjmë gjithçka për t’i mbajtur. Ne duam që Silva të qëndrojë sepse ai dëshiron të qëndrojë. Situata e këtyre dy lojtarëve është e vështirë. Ne kemi humbur tashmë dy lojtarë të jashtëzakonshëm (Gyndoanin dhe Mahrezin). Ata shënuan gola në ndeshje të mëdha. Të humbasësh Kajlin dhe Bernardon do të ishte shumë e vështirë. Ne do të bëjmë gjithçka për t’i mbajtur ata.
Një nga objektivat tuaj për mesfushën ishte Deklan Rajs, por në fund ai firmosi me Arsenalin…
Deklan Rajs vendosi të shkojë tek Arsenali, i uroj atij gjithë të mirat. Ai është një djalë shumë i mirë. Ai është i rëndësishëm për kombëtaren angleze. Arsenali ka blerë një lojtar vërtet të mirë.
Çfarë mendoni për merkaton e Arsenalit?
Ata nuk kanë blerë lojtarë për ta bërë skuadrën më të madhe, ata kanë blerë lojtarë titullarë. Nuk mund të prisja asgjë ndryshe. Arsenali e ka bërë atë, Liverpuli ndoshta pak më pak, por me largimin e Hendersonit dhe Fabinjos ata do të bëjnë merkato, Junajtidi gjithashtu. Çdo sezon skuadrat duan të përmirësojnë veten.
Si është gjendja fizike e Sitit përpara finales me Arsenalin?
Ne e përfunduam sezonin dy javë më vonë se Arsenali dhe e fillojmë këtë sezon dy javë më vonë. Pra, ne nuk jemi në formën më të mirë. Ne vuajmë çdo sezon kur ai nis, por shpresojmë që mentaliteti ynë të mund të na ndihmojë të jemi atje dhe të konkurrojmë.
Do të vazhdojë merkato e Sitit pas transferimeve të Kovaçiçit dhe Gvardiolit?
Nuk e di. Mendoj se do të duhet të lëvizim diçka. Nuk ka përfunduar ende.
Sezonin e shkuar fituat tripletën. Si do ta motivoni skuadrën këtë sezon dhe çfarë dëshironi nga lojtarët tuaj?
Nuk e di. Do të shohim, por pas çdo faze përgatitore kur kemi fituar tituj radhazi, ne gjithmonë mendojmë se lojtarët do të jenë të ngopur ose nuk do të jenë gati. Por gjithnjë ata kanë treguar se janë. Mendoj se do të kemi ulje-ngritje në pjesën e parë të sezonit. Duhet të përpiqemi të shmangim rënien drastike dhe të mos lejojmë kundërshtarët e Premier Ligës të arratisen. Por unë jam i sigurt se lojtarët do të jenë atje.
A ka bërë Barcelona një ofertë për Silvën?
Dua ta sqaroj këtë, sepse i njoh përfaqësuesit e Barcelonës. Që nga dita e parë unë nuk dua asnjë lojtar që nuk dëshiron të jetë këtu. Unë jam vetë një punonjës. Unë dua të punoj me djem që duan të qëndrojnë dhe të punoj me stafin dhe lojtarët, por nëse nuk marrim një ofertë të duhur, ai mbetet lojtari ynë dhe ne e duam. Nëse ata e duan, ata do të marrin aeroplanin dhe do të vijnë këtu për të biseduar me drejtorin tonë sportiv për të arritur një marrëveshje. Ata duhet të bëjnë një ofertë dhe ata nuk e kanë bërë një të tillë.
A është Arsenali rivali kryesor i skuadrës tuaj për titullin e Premier Ligës këtë sezon?
Arsenali ka qenë një skuadër e madhe që kur Arsen Venger e ngriti klubin në atë pozicion. Ai ndryshoi shumë gjëra në futbollin anglez, ndikimi i tij ishte masiv, ndoshta më i madhi për sa i përket diçkaje të re që ndoshta nuk ishte këtu deri atëherë. Ndoshta humbi stilin në vitet e fundit, por Mikel i solli përsëri atje ku kanë qenë. Nuk ka një apo dy ekipe që do na sfidojnë, por shumë skuadra që do të luftojnë për gjithçka. Sfida është shumë e madhe për ne. Sfida është sesa të uritur do të jemi për të mbrojtur atë që kemi fituar? Do ta shohim gjatë një procesi 11 mujor gjatë momenteve më të ulëta. Mendoj se do të kemi më shumë pengesa se kurrë, kështu që shohim sesi do t’i kapërcejmë ato.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL