Ballkani ka konfirmuar largimin e futbollistit Albion Rrahmanit.
Rrahmani pritet t’i bashkohet skuadrës së Rapid Bukureshtit, transmeton lajmi.net.
“Lamtumirat janë sa të dhimbshme, aq edhe të hidhura. Andaj sot ty kampioni ynë, foleja jote e përhershme, të thotë thjeshtë MIRUPAFSHIM!
Çdo gol që ke shënuar, do të mbetet në zemrat e secilit tifoz të FC Ballkanit, në zemrat e secilit prej nesh. Çdo minutë që ke djersitur me vetëmohim fanellën e klubit, do të ruhet në kujtesën e pa shlyeshme, sepse kontributi yt ishte vlerë e madhe për rrugëtimin tonë të përbashkët.
Ndarjet janë të vështira, por kur ato bëhen për të nisur një rrugë të re, me perspektivë për të ardhmen e një futbollisti të këtij vendi, të gjithë bëhemi bashkë, në përkrahje të mundësive të reja të kampionëve tanë.
Faleminderit për angazhimin shembull në çdo ndeshje e në çdo rrethanë. Ti nuk e ke kursyer vetën asnjë çast, madje as atëherë kur ke ndjerë dhimbje në trupin tënd, ti ishe gjithmonë i gatshëm për t’i ndihmuar shokëve të skuadrës, në synimet drejt sukseseve tona, duke nderuar vetën, klubin dhe qytetin tonë.
Ne jemi të bindur që karrierë e pasur të pret para, andaj të dëshirojmë sukseset më të mëdha të mundshme, kurse derën e familjes së madhe të FC Ballkanit, do ta kesh të hapur përjetësisht.
Mirupafshim Albion Rrahmani, ti o kampion i Republikë”, shkroi kampioni i Kosovës në faqen e tyre./Lajmi.net/