J an Zomer është zyrtar isht një futbollisti i ri i Interit. Pas mbërritjes të dielën pasdite dhe kryerjes e kalimit të vizitave mjekësore ditën e djeshme, për portierin zviceran më pas ishte momentin i hedhjes së firmës në kontratë. Ndryshe nga ishte përfolur, 34-vjeçari ka firmosur jo për dy, por për 3 sezone (skadenca 30 qershor 2026).
Futbollisti i ardhur nga Bajerni i Mynihut u kushtoi zikaltërve shifrën e 6 milionë eurove, aq sa ishte edhe klauzola e prishjes së kontratës së tij me gjermanët dhe nga dita e sotme, Jan Zomer mund t’i bashkohet trajnerit Simone Inzagi në stërvitjet që Interi tashmë do të kryejë në “Apiano Xhentile”, pas mbylljes së turneut në Japoni. Zikaltrit afrojnë një portier, që pavarësisht moshës së tij disi të madhe, ka treguar se di të bëjë ende magjira, madje ai është makthi i Italisë, duke kujtuar se hipnotizoi dy herë Zhorzhinjon, për të gabuar nga 11 metrat dhe të linte Italinë jashtë Botërorit të fundit.
PREZANTIMI I INTERIT – Zomer, pas firmës në kontratën e tij, ka shkuar që të vizitojë edhe muzeun e klubit, për të bërë edhe fotot e para si interist, ndërkohë që uebsajti zikalter e prezanton me fjalët të bukura “gardianin” e ardhshëm: “Ka fëmijë që ëndërrojnë të bëhen sulmues të mëdhenj, por të tjerë lindin për të luajtur në portë. Dhe Jan Zomer i përket kësaj kategorie të dytë dhe ne jemi shumë të lumtur që e mirëpresim në klubin tonë. Eksperiencë, lidership dhe dedikim absolut janë ato cilësi që ne na shtynë për të gjetur akordin me Zomerin, karakteristika të cilat është gati që t’i tregojë edhe me bluzën zikaltër, në sezonin që pritet të fillojë së shpejti”, shkruhej në letrën prezantuese të Interit lidhur me portierin veteran zviceran.
FLET ZOMER – “Ka shumë motive pse zgjodha të jem këtu. Pikësëpari sepse është një klub madhështor në nivel kombëtar dhe ndërkombëtare, me një traditë shumë të madhe. Të luaj në një skuadër kaq të rëndësishme sa Interi është një sfidë e re për mua dhe karrierën time. Prandaj, mezi po pres të luaj në ‘San Siro’ dhe të shijoj tifozët, atmosferën e Milanos. Jam vërtet i lumtur që jam këtu”. Ishin këto fjalët e para si interist të Jan Zomer, në dhomën e trofeve zikaltër, për televizionin e klubit.
“Cilat janë pritshmëritë e mia? Nuk kam shumë të tilla, më saktë nuk kam menduar. Dua thjesht të luaj, të mat forcat e mia me sulmuesit kundërshtarë dhe kaq. Dua të luaj sa më shpejt për Interin dhe të shpresoj se këtu do të fitojmë gjëra të mëdha së bashke. Për mua do të jetë gjithçka e re, prandaj adrenalina është në maksimum për të nisur. Pika ime e forcës? Jam një portieri eksploziv, mundohem që të jem kurajoz dhe të ndihmoj skuadrën, duke i dërguar në çdo pritje ndjesinë se ata mund të kenë besim te unë. Por mbi të gjitha jam shumë i zoti në lojën me këmbë, një veti që e kam biseduar edhe me trajnerin Inzagi dhe ai kërkon që ta shfrytëzojë, pasi sot, të futurit edhe portierin në qarkullimin e topit është bërë një domosdoshmëri për të nxjerrë nga skemat kundërshtarin. Unë jam i aftë që ta bëj diçka të tillë dhe po pres ma padurim që t’ia tregoj Interit dhe kujtdo tjetër”, përfundoi Zomer.
JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL