Shitja e Delcan Rice, te “topçinjtë” e Arsenal për plot 116 milionë euro padyshim ka forcuar jo pak bilancet ekonomike të “çekiçëve” të West Ham, mirëpo ka dobësuar jo pak cilësinë në mesfushë, duke e bërë kështu forcimin e këtij reparti, “misionin” e kësaj vere.
Pas transferimit të “shkatërruesit” meksikan të mesfushës së Ajax, Edson Alvarez, tashmë kampionët e Conference League kërkojnë një tjetër “shkatërrues” të mesit të fushës, skocezin e Manchester United, Scott McTominay për të cilin kanë bërë dhe një ofertë prej 30 milionë paundësh.
Mirëpo, pavarësisht ofertës së konsiderushme, “djajtë e kuq” kanë vendosur ta refuzojnë dhe nuk dihet nëse West Ham do të bëjë një tjetër përpjekje për transferimin e skocezit, por ky i fundit nuk është i vetmi “objektiv” i “çekiçëve”, që luan për United.
Klubi londinez synon gjithashtu të afrojë ish-kapitenin e “djajve”, Harry Maguire, me negociatat për këtë të fundit që janë duket shkuar mirë, por që sërish mbeten shumë larg arritjes së një marrëveshjeje.