Të martën përjetoi minutat e para si kuqezi, ndërsa dje u prezantua zyrtarisht për mediat. Samuel Çukvueze i ka idetë e qarta dhe këtë e ka dëshmuar në çdo përgjigje të dhënë gjatë konferencës për shtyp.
Si ndiheni në skuadrën e re?
Që në fillim ndjesitë kanë qenë pozitive. Shokët dhe i gjithë stafi më kanë pritur shumë mirë. Tifozët u treguan fantastikë dhe gjithçka po shkon mirë. Mezi pres të luaj në “San Siro”.
Si mendoni se do të jetë kur të luani në “San Siro”?
Shokët më kanë treguar se çfarë emocionesh përçon ai stadium. Unë e kam provua të luaj në impiante madhështore e mezi pres të shijoj edhe milanistët në “San Siro”. Edhe tifozët duket se ju kanë pritur shumë mirë… Të mrekullueshëm kanë qenë. Që kur isha në kombëtare kanë nisur të më shkruanin duke më dërguar foto dhe video. Të gjithë më pyesnin se kur do të zbarkoja te Milani. Kur një lojtar ndien të tilla emocione e dashuri është i prirur të japë edhe më shumë nga vetja.
Çfarë ju vjen në mendje kur kujtoni Milanin e së kaluarës?
Shumë kampionë, por sidomos Kaka. Kundër Junajtidit bëri një gol fantastik. Ka qenë shumë i rëndësishëm për Milanin dhe unë kam parë shumë video të tij. Cili nga shokët e skuadrës po ju ndihmon më shumë? Adli është shakaxhi dhe jemi bërë miq. Shpesh vjen pranë meje për të më pyetur nëse kam kuptuar gjithçka që thuhet. Po aq shumë po më ndihmojnë edhe Leao me Okaforin.
Si ka qenë kontakti me Piolin?
Ai më telefonoi para se të vija këtu, më ka treguar gjithçka që do nga unë. Ai me të vërtetë donte që unë të isha pjesë e Milanit dhe kjo më shtyu edhe më tepër të vija këtu. Nëse nuk do të kisha folur me të, mund të mos kisha ardhur këtu, por ai është treguar i mrekullueshëm me mua. Pioli më shpjegoi planet e tij dhe besoj në projektin e tij. Më ka treguar për grupin dhe lojtarët. E di që është një trajner i mirë.
A mund të shndërroheni golashënues i Milanit?
Nuk e di, por gjithçka mund të ndodhë. Një lojtar rritet me kalimin e kohës dhe duhet të përmirësojë gjithmonë shifrat. Për të kaluarën nuk mendoj, tani dua vetëm të shkruaj emrin tim në historinë e këtij klubi. Nuk kam frikë dhe objektivat e mi i kam të qarta. Cili është lojtari që ju frymëzon? Arjen Roben ka qenë i jashtëzakonshëm dhe mbase ndër më të fortët në rolin tim. Kam parë çdo video të tij për të mësuar sa më shumë gjëra. Ishte një lojtar të cilin kishe qejf ta shihje.
Çfarë diferencash ka mes Vijarealit dhe Milanit?
Milani është një klub më i madh dhe ka më shumë gazetarë. Që në aeroport vura re pasionin e tifozëve. E di që jam në një klub gjigant, me të cilin Vijareali nuk mund të krahasohet. Milani është vërtet diçka përtej imagjinatës.
Cilën nga rivalet e kampionatit keni ngut të përballni?
Mezi pres të nisë kampionati. Duhet të mendojmë për të fituar sa më shumë ndeshje, sepse kemi një skuadër të madhe. Nuk dua t’ia di për rivalët, fundja mund të fitojmë ndaj kujtdo. Është e vetmja rrugë për të fituar titullin.
A jeni gati për të hyrë në historinë e Milanit?
Kam ardhur për të fituar trofe. Unë luaj futboll dhe dua ta shkruaj emrin tim në historinë e Milanit, kështu që dikush në të ardhmen do të mund të thotë se kam bërë historinë me këtë fanellë. Unë jam këtu për të fituar. Prioriteti im është të fitoj diçka. Nuk e di si, por e di që do ta bëj.
Çfarë ju ka thënë miku juaj Osimhen?
Ai është shoku im i ngushtë. Kemi disa kohë që luajmë bashkë në kombëtare. Gjithmonë e kam pyetur se si është të luash në Itali. I thashë se Milani më donte dhe më tha se Milani është një ekip i madh dhe se Pioli është një trajner i mirë. Të gjithë e njohin Milanin. Doja të vija në Milano. Me Osimhenin bëjmë shumë shaka. Unë i thashë Viktorit se nuk do ta mundin Milanin këtë vit.
Fansat ju kanë ëndërruar prej kohësh…
Dashuria e tifozërisë më mbush shpirtin. Nuk ndiej presion, kam luajtur gjithmonë nën presion. Kam luajtur shumë ndeshje të rëndësishme për Vijarrealin. Dua të argëtohem, gabimet mund të ndodhin, por nuk duhet ndaluar kurrë së punuari. I adhuroj tifozët që tani.
Çfarë objektivash ka Milani për këtë sezon?
Duhet të bëjmë sa më mirë në çdo turne e të mundohemi të fitojmë sa më shumë ndeshje. Do të duhet pak kohë, pasi kanë ardhur shumë lojtarë të rinj, por mund të fitojmë kampionatin.