Ekzistojnë shtatë pa rime të artit: ekuilib ri, kontrasti, theksi, lëvizja, modeli, ritmi dhe shumëllojshmëria. Shumëkush mund të pyesë se çfarë lidhje kanë këto me futbollin.
Në fakt kanë dhe për këtë fare mirë mund t’iu përgjigjet një person, një kampion bote, Lionel mesi. Të gjitha këto elementë do t’i gjeni në koleksionin e goditjeve të lira të Lionel Mesit – ai është një artist në këtë pjesë të lojës. Jo më kot, komentatori Rej Hodson dikur e krahasoi atë me Mozartin. Goli i tij në debutimin me Inter Majamin kundër Kruz Azul (94’) ishte goli numër 63 në karrierë nga goditjet e dënimi.
“Unë shkova për ta ekzekutuar goditjen e dënimit siç bëj gjithnjë, me objektivin për të shënuar. Isha me fat që qëllova në shenjë dhe që portieri nuk ia doli ta ndalte topin”, tha pas takimit Lionel Mesi. Ishte vetëm fillimi me Inter Majamin, që u pësua dhe nga të tjerë.
Leo përsëriti veten 16 ditë më vonë nga debutimi, këtë herë në 1/8 e finaleve kundër Dallasit me golin e 64- të nga goditja e dënimit. Në ngjashmëri me një artist, pikturat e të cilit marrin gjithnjë e më shumë vlerë pasi ai të jetë ndarë nga jeta, mungesa e golave të Mesit ka rënë në sy tek Barcelona që pas ikjes së tij.
Vetëm dy vjet pas largimit të Leos, ishte Rafinja ai që shënoi nga një goditje standarde për klubin katalanas. E të mendosh që në dy vjet Barça ka provuar me qindra herë të shënojë nga goditjet e dënimit. Kjo e shton dhe më shumë vlerën e Lionel Mesit. Portali “The Athletic” i ka bërë një analizë mënyrës së ekzekutimit të goditjeve të dënimit nga Mesi, që e bën shumë të veçantë argjentinasin. Mënyra që në një farë mënyre hipnotizojnë portierët kundërshtarë.
TEKNIKA – “Ju mësoheni të gjuani në një mënyrë specifike dhe zbuloni gjithnjë e më shumë stilin më të mirë”, tha Mesi në vitin 2018. Për një lojtar që duket kaq i natyrshëm, “pleshtit” i është dashur të përmirësojë teknikën e tij të goditjeve të lira gjatë karrierës së tij dhe duhej të priste që Ronaldinjo të largohej nga Barcelona (në vitin 2008) për t’u bërë ai gjuajtësi i parë i goditjeve standarde tek Barcelona. “Në vitet e fundit nisa të shoh e studioj nëse portieri lëviz para se të godas topin, si është vendosur muri e të tjera elementë”, tha Mesi në vitin 2019.
“Unë studioj edhe më shumë tani. Dhe fillova të përmirësoj mënyrën se si godita topin gjatë stërvitjes” shtoi ai. Teknika e Mesit, nga ana biomekanike është interesante. Një pikë e fortë është se qasja e tij mbetet e njëjtë pavarësisht se si dhe ku gjuan – dhe ka shumë shumëllojshmëri – duke e bërë të vështirë për portierët ta lexojnë atë. “Kur Mesi godet topin, ai e zhvendos kofshën e tij në të djathtë”, tha Dr.Rajpal Brar në vitin 2020.
“Ai lëviz ijet e tij në të djathtë ndërsa po godet për të hapur këmbën e majtë”, shtoi ai. “Kjo mënyrë ekzekutimi e zhvendos të gjithë peshën në pjesën e jashtme të këmbës. Kur ai ndjek dhe ai godet topin, gjithçka shkon në pjesën e jashtme të kyçit të këmbës së tij”, tha Dr.Brar. “Ne e quajmë ‘përdredhje’ kur përdridhet nga brenda. Është e njëjta forcë (si ndrydhja e kyçit të këmbës). Por në rastin e Mesit, ai e ka trajnuar veten dhe trupin e tij për të kontrolluar atë lëvizje”.
TERRITORI “MESI” – Gjuajtës të ndryshëm të goditjeve të dënimit kanë një zonë të preferuar ose atë që njihet si “territori” i tyre. Edhe Mesi e ka një të tillë: një goditje e lirë rreth 24 metra larg portës, e zhvendosur paksa në të djathtë. “Për të qenë i sinqertë, më pëlqen të godas topin mbi mur”, tha Mesi në vitin 2016. Ky është një gol që argjentinasi e ka shënuar gjatë gjithë karrierës së tij. Goli i tij i dytë me goditje dënimi dhe i pari në Ligën e Kampioneve, ishte ai që i dha fitoren ekipit në minutën e 86-të kundër Dinamos së Kievit në vitin 2009.
Ishte gjithashtu goli i tij i 100- të në karrierë. Shumë nga goditjet e lira nga ku ka shënuar Mesi shkojnë shumë pranë shtyllës dhe/ose traversës. Tregon se sa preciz është ai dhe trajektorja (si këmbë e majtë) e largon topin nga portieri. Mat Pizdrovski, analist i portierëve për “The Athletic” dhe një ish-profesionist, thotë se ky është një kombinim i paarritshëm për portierin. Shifrat e vërtetojnë këtë: 41 gola (në ndeshjet e kampionateve në Evropë) nga 452 përpjekje, të cilat të dhënat e golave të pritura tregojnë se do të vlejnë 22 gola për një lojtar normal.
GODITJE DËNIMI MË AFËR SE 22m – Për shumë njerëz, goditjet në afërsi të zonës janë mundësia më e mirë për të shënuar. Për Mesin ka më shumë variacione. Mënyra e parë është të kaloni murin, por me një trajektore të ngjashme me ulje-ngritjen dhe me rrotullimin e topit. Efektivisht kjo është një teknikë “Panenka”. Pizdrovski shpjegon se me këtë gjuajtje, portieri mund të mos e shohë topin derisa të jetë rreth 12 metra larg portës, duke e reduktuar kohën e reagimit të tyre në të njëjtën kohë si kur përballen me një penallti. Ajo që duhet thënë për Mesin është se ai e ka rafinuar teknikën e tij me kalimin e viteve. Por Mesi ka mundur të shënojë edhe poshtë barrikadës. Është pikërisht ky lloj ekzekutimi i goditjes së dënimit që çoi në “shpikjen” e barriere të re duke vendosur një lojtar të shtrirë poshtë murit. Goli i tij i parë i tillë për Mesin ishte kundër Uruguait në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës në vitin 2012.
GODITJET MBI 22 METRA – Në karrierën e tij Mesi ka treguar se di të shënojë dhe në distanca që tejkalojnë “territorin” e tij, pra mbi 22 metra. Këto goditje ai i ka provuar më herët në karrierën e tij, por flasim për 12-13 vite më parë. Por në mënyrë sporadike i ka përsëritur edhe më vonë.
KRAHU I PORTIERIT, MAJTAS – “Herë pas here më pëlqen ta ndryshoj ekzekutimin tim, në mënyrë që portieri të mos dijë se ku po shkoj dhe dua ta mbaj të pavendosur derisa të godas”, tha Mesi. Pizdrovski thekson se Mesi “i mban portierët të papërqendruar” me shumëllojshmërinë e ekzekutimeve tij, me Leon që piketon këndin e djathtë të portierit dhe në fund ndryshon krah, duke e kaluar topin në të majtë të tij.
Portieri i Vijarrealit, Serxhio Asenjo, në vitin 2017 është një nga viktimat e shumta të Mesit në këtë lloj gjuajtjeje të lirë. Me raste, Mesi përfiton edhe nga shokët e tij të ekipit, që në disa raste përfshihen në murin kundërshtar për të ç’orientuar portierin. Këtë gjë ka bërë dhe tani te Inter Majami.
KRAHU I PORTIERIT, DJATHTAS – Goditja e lirë e Mesit kundër SHBA-së në “Copa America 2016” ishte gjuajtja e parë e lirë që u nominua për çmimin “Pushkash” (çmimi për golin “më të bukur”). Me një goditje të harkuar në perfeksion në krahun e portierit, Mesi mundi të shënonte. Gola me gjuajtje të tilla, Mesi i kishte shënuar edhe më herët, por edhe pas golit të vitit 2016. Edhe tek PSG-ja ku rendimenti i tij nuk ka qenë konstant, Mesi prodhoi sërish magji në goditje dënimi.
SHIFRAT – Për sa i përket golave të shënuar nga goditjet standarde (goditjet e dënimit), Mesi (64 gola) është sulmuesi më i mirë i goditjeve të lira që luan aktualisht. Ai është 13 gola larg nga braziliani Zhuninjo (77 gola) që ndodhet në krye të listës. Por me golin kundër Dallasit ai i është afruar të tjerë magjistarëve të topit si Devid Bekham (65), që është dhe presidenti i tij te Inter Majami, apo idhulli i tij, Ronaldinjo që ka shënuar 66 gola me goditje dënimi direkte.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL