Sulmuesit, karakteristikat dhe a janë në vendin e duhur. Këtyre pyetjeve u është përgjigjur Arrigo Saki në intervistën e fundit të dhënë për “La Gazzetta dello Sport”.
Mund të na bëni një panoramikë të sulmuesve në Itali?
Tema e “sulmuesit” është padyshim më e komentuara e verës. Flasim për të në plazh, midis një kafeje dhe një takimi, gjatë një udhëtimi në shtigjet malore. Tifozët, të cilët nuk fiken kurrë, diskutojnë temën me pasionin e tyre të zakonshëm dhe pyesin veten nëse ka cilësitë e duhura, nëse do të bëjë vërtet ndonjë diferencë. Duke parë panoramën, duhet pranuar se Napoli e nis si favorit, pasi presidenti De Laurentis e ka konfirmuar Osimhenin. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Milanin dhe Interin, që janë ende në kërkim të elementit që mund të kompletojë grupin. Zikaltrit kanë kërkuar Arnautoviçin, kuqezinjtë për momentin kanë vetëm Okaforin si rezervë të Zhirusë.
A mjaftojnë këto lëvizje për titullin dhe champions-in?
Këtu duhet të bëjmë një analizë të thellë dhe të shpjegojmë njëherë e përgjithmonë se qendërsulmuesi është i rëndësishëm, në të vërtetë shumë i rëndësishëm, me kusht që të ketë një skuadër me një lojë të aftë për ta furnizuar. Përndryshe ne mund të vendosim edhe më të mirët në botë përpara, por nuk do të zgjidhnim asgjë.
Ju preferoni një sulmues manovre apo cinik?
Fillimisht, duhet kuptuar se çfarë qendërsulmuesi ka nevojë trajneri. Një vrasës, i pamëshirshëm në zonën e penalltisë dhe me gola në gjak, apo një lojtar manovre që pëlqen të marrë pjesë në ndërtimin e aksionit dhe të dialogojë me shokët. Apo ndoshta ju duhet një goditës i mirë me kokë, sepse planifikohet të luhet me shumë krosime në zonën e kundërshtarit? Kjo zgjedhje, e cila varet kryesisht nga trajneri, është thelbësore. Unë te Milani im kisha Van Bastenin që ishte fenomen dhe në ADN-në e tij ishte edhe vrasës edhe lojtar ekipi, dhe më pas kisha Virdisin që ishte mbi të gjitha vrasës, por falë punës, vullnetit dhe angazhimit të tij ai u përmirësua shumë, madje pati arritur të shënojë gol në një derbi, duke e vjedhur topin në presing.
A është Noah Okafori njeriu i duhur për të zëvendësuar Olivie Zhirunë?
Situata te Milani është ndryshe, sepse mënyra se si Pioli po e krijon skuadrën është e tillë. Kuqezinjtë, të paktën në fillim të sezonit janë duke i dhënë përparësi skemës 4-3-3. Pra, dy anësorë dhe një qendërsulmues. Okafor ka cilësinë e tij më të mirë në shpejtësi, ai ndryshon shumë në krahë, sepse është një sulmues lëvizjeje. Krejt ndryshe nga Zhiru, si të thuash. Nëse ai duhet të zërë vendin e francezit, është logjike që Milani do të duhet të ndryshojë mënyrën se si i shërben sulmuesit të parë. Por nuk do ta anashkaloja Kolombon. E kam ndjekur në Leçe në kampionatin e kaluar, për mendimin tim ai lëviz mirë, ka aftësi fizike, teknikë të mirë dhe është i përshtatshëm për të luajtur mes dy anësorëve që i japin topa në mes të zonës. Gjithsesi edhe në këtë rast është e nevojshme që e gjithë skuadra ta mbështesë, duke e ushqyer vazhdimisht manovrën, me presing të vazhdueshëm dhe lojë ofensive.
Po Interit çfarë i nevojitet?
Lautaro është pjesë e ekipit, ndaj duhet kërkuar një element që mund të shkojë mirë me argjentinasin dhe që plotëson çdo boshllëk. Ndoshta duhet një element që vepron si një lidhje, që ndihmon në fazën e shkëputjes, që shkurton ekipin kur është shumë i gjatë. Distancat, në futbollin modern, janë thelbësore dhe shpesh nuk i vëmë re. Vrasësi tek Interi është Lautaro, ndaj mendoj se do të ishte i dobishëm një lojtar me vizion të gjerë, i gatshëm për të sakrifikuar dhe i aftë për të duetuar me mesfushorët. Xheko ishte i mrekullueshëm në këtë aspekt. Nuk e di nëse Arnautoviçit mund të jetë i përshtatshëm: teknikisht ai është i mirë dhe gjithashtu i fuqishëm. Sidoqoftë, në planin afatgjatë duhet të jetë Simone Inzagi ai që harton një plan që i vendos sulmuesit në pozicione të volitshme.
Pra vlera e “pykës” është relative?
Ju po e shihni që në fund flasim gjithmonë për një kolektiv dhe jo vetëm për një individ (qendërsulmues në këtë rast), sepse futbolli, pavarësisht se shumë e harrojnë, është një sport që praktikohet nga njëmbëdhjetë lojtarë, ku të gjithë duhet kontribuojnë në suksesin e ekipit.
PANORAMASPORT.AL