Roberto Mançini nuk është më trajneri i Italisë pas 5 vitesh në krye të saj, e cila kulmoi me fitoren e Europianit 2020 (më 11 korrik 2021 në Londër), por ndërkohë u njollos edhe nga plaga e rëndë e mospjesëmarrjes në Botërorin 2022, në Katar. Dhe tani pyetja 1 milion dollarëshe është: Kush mund të marrë vendin e Roberto Mançinit? Lista me emra është aq e gjatë, ndonëse ajo do të nisë që të shtrëngohet ditë pas dite. Arsyeja lidhet pikërisht me punë e bërë nga Roberto Mançini pikësëpari, duke i lënë gati një ushtri me të paktën 57 “ushtarë” të sprovuar, por edhe me një ideologji loje sulmuese, që duhet vazhduar së kultivuari.

Prandaj, emri i parë për sa i përket karakteristikave të para duket se është ai i Luçiano Spaletit, i freskët nga titulli fenomenal me Napolin, por aktualisht është i papunë dhe kombëtarja do të ishte dhurata e karrierës për të. Ndërkohë, emri i dytë dhe ai nuk mund të mungojë kurrë, është Antonio Konte, por që nga stili i lojës është totalisht e kundërta me atë të Roberto Mançinit, edhe pse për nga përgjegjësia dhe lidhja e fortë që edhe ai krijon me futbollistët e tij, e provoi me Europianin 2016, ku bëri vërtet një mrekulli me një skuadër në dukje normale.
TRAJNER ME KOHË PASTAJ ALEGRI? – Një tjetër mundësi mund të jetë që Fedarata Italiane e Futbollit të mund të zgjedhë një emër jo të madh, edhe pse në sfond është pjesëmarrja e “Euro 2024” dhe një tjetër gafë pas Botërorit nuk mund të tolerohet. Por arsyeja e kësaj zgjedhjeje është se pikërisht dje, pas dorëheqjes së Roberto Mançinit, është zbuluar një prapaskenë se Masimiliano Alegri, trajneri i Juventusit, ka pasur një takim me krerët e “FIGC”, duke iu ofruar këtyre për verën e vitit 2024.
Mesa duket, Alegri do të drejtojë Juventusin për herë të fundit këtë vit, me shpresën se mund ta rikthejë te titulli dhe të largohet me nder, për të marrë më pas kombëtaren dhe pse jo të nisë punën e tij si menaxher, atë që ka ëndërruar edhe ai. Por kjo duhet disi e vështirë, ndonëse zgjedhja e ndonjë kandidati pa shumë eksperiencë si Fabio Kanavaro, mund të bëjë të mendojë se rruga e Italisë drejt trajnerit të ardhshëm që do të zbarkonte në stol, do të çonte pikërisht te Masimiliano Alegri. Pak a shumë siç po bën aktualisht Brazili, i cili pret Karlo Ançelotin të çojë në fund edhe sezonin e tij të fundit te Reali i Madridit.