Trajneri i Liverpulit, Jyrgen Klop, nuk mendon se Çelsi meritonte diçka më shumë dhe thotë se ishte skuadra e tij që u lejoi atyre të riktheheshin në lojë. “Fillimi ishte vërtet i mirë, në të dy drejtimet, në sulm dhe në mbrojtje. Ne shënuam një supergol të parë, shënuam një gol fantastik të dytë që për fat të keq ishte pozicion jashtë loje.

Nëse më pyesni nëse isha plotësisht i kënaqur me lojën, atëherë jo, por pashë mjaftueshëm dhe kemi bërë një hap më tej në drejtimin e duhur. Ne kishim momentet tona, ishte një lojë superintensive, një lojë e egër në momente të caktuara. Duhet ta kishim kontrolluar më shumë, por nuk mundëm dhe tani do të vazhdojmë të punojmë”, tha gjermani, i cili në lidhje me transferimet e reja shtoi: “Mek Alister është padyshim një futbollist shumë i mirë, që e patë në golin tonë të parë. Lojtarët e rinj na dhanë një mundësi të madhe në momentet sulmuese. Sobozlai është një bishë, ai luajti tri pozicione. Djem shumë të mirë, lojtarë shumë të mirë. Ne i hapëm derën Çelsit, humbëm topin në momente kur ishte e vështirë të përgatiteshim për të. Kjo i dha lojës një drejtim tjetër, kështu që ne nuk e kishim kontrollin e saj”.
I pyetur nëse ka lajme nga Kaisedo që po firmos me Çelsin, Klop tha thjesht: “Nuk kemi asnjë lajm”, por u ndal të komentonte nervozizmin e Salahut pas zëvendësimit: “Unë mund ta kuptoj reagimin e tij, sepse nëse Mo do të shënonte do të kishte qenë një rekord i ri për golat e shënuar në ndeshjet e para, por unë nuk e mendoj për këtë. Ne kishim nevojë për stabilitet dhe kishim nevojë për këmbë të freskëta. Ishte superintensive për të gjithë. Kjo është gjithçka që mund të them për këtë. Reagimi i tij ishte absolutisht në rregull”.
PANORAMASPORT.AL