Nëse Kylian Mbappe rinovon me PSG-në, Real Madrid do t’i mbyllte me patjetër derën francezit përgjithmonë.
Duket e pabesueshme se si ka ndryshuar situata e Mbappe javën e fundit. Pak ditë më parë, sulmuesi ishte jashtë stërvitjeve të skuadrës së tij dhe dukej sikur po shtynte për t’u transferuar në Spanjë. Ndërsa sot, e ardhmja e tij është më afër “Parc des Princes se sa në “Santiago Bernabeu”.
E vërteta është se nuk dihet nëse Mbappe do të vazhdojë me klubin francez këtë sezon apo jo dhe askush nuk e di nëse ai do të rinovojë përsëri kontratën me ta.
Ajo që duket qartë, sipas raportimeve të “El Chiringuito, është se nëse ylli francez rinovon me PSG-në, Real Madrid do të mbyllte dyert e “Bernabeut” për të. Në merkaton e kaluar të verës, Mbappe bëri të njëjtën gjë me Realin. Kur të gjithë e morën si të mirëqenë lëvizjen e tij në klubin spanjoll, francezi në momentin e fundit rinovoi kontratën me PSG-në.
Situatë “Deja Vu” për Real Madrid, por këtë herë, nëse ai rinovon me PSG-në, tifozët dhe klubi nuk do e falnin dhe do të hiqnin dorë përfundimisht nga ai.