Herri Meguajër duket se preferon të qëndrojë te Mançester Junajtid në pankinë më shumë se sa të luajë, edhe pse praktikisht po shkatërron karrierën e tij. Marrëveshja për të çuar mbrojtësin anglez nga “djajtë e kuq” te Uest Hem, raportohet se ka dështuar për shkak të kërkesave të futbollistit.
Ky i fundit kishte gjetur akordin me Uest Hem dhe ishte gati të firmoste për të, nëse Mançester Junajtid do ta paguante për t’u larguar, ai kërkonte që diferencën e rrogës, që normalisht do të ishte më e ulët te Uest Hem, ta paguante Junajtid. Bëhet fjalë për një shifër prej rreth 7 miionë paund, që futbollisti pretendon nga klubi i tij aktual.
Por “djajtë e kuq” nuk kanë ndër mend të bëjnë një pagësë të tillë dhe tashmë raportohet se negociatat janë mbyllur, pasi Uest Hemi nuk ka ndër mend të presë më gjatë futbollistin. Kështu, Meguajër për momentin ka preferuar një rrogë më të mirë para mundësisë për të luajtur rregullisht, edhe pse kjo pak nga pak ka filluar ta largojë edhe nga radhët e përfaqësueses angleze, në sezonin e Euro 2024.
PANORAMASPORT.AL