Buzëqeshja është kthyer në fytyrën e Kilian Mbapesë dhe në atë të drejtuesve të Paris SG-së. Pas javësh e muajsh tensinesh të larta, fundjava që lamë pa ka ndryshuar të gjithë rrjedhën e ngjarjeve me lojtarin dhe klubin që kanë rënë dakord që kapiteni i kombëtares franceze të vijojë në Paris me opsionin për të rinovuar kontratën me klubin të paktën deri në vitin 2025.
Një zgjedhje që do t’i jepte mundësi Parisit që ta shiste Mbapenë shumë shtrenjtë verën e vitit 2024. Një zgjedhje që natyrisht nuk është pritur mirë në Madrid. Te Reali prisnin që Mbape të vinte që verën e vitit 2023. Kjo ishte dhe një nga arsyet për se klubi i bardhë ka mbajtur pa një emër fanellën me numrin 9 të lënë bosh nga Karim Benzema. Por ndodhitë e reja në Paris kanë bërë që gjithçka të rrokulliset.
RINOVIMI – Megjithatë në Madrid kanë shpresë. Presidenti Florentino Perez nuk i ka humbur shpresat për të “rrëmbyer” firmën paraprake të Mbapesë. Ajo çfarë mban gjallë shpresat e Realit është vetë sulmuesi. Pavarësisht shkrirjes së akujve me klubin francez, Mbape ka vendosur të mos rinovojë kontratën me klubi. Që do të thotë se Reali mund të shpresojë ende në një firmë me parametra zero vitin e ardhshëm, ose të paguajë afro 100 milionë euro për Mbapenë duke nisur nga 1 janari 2024.
KËRCËNIMI – Por në Madrid ndihen të lodhur me sulmuesin francez dhe këtë herë kanë ngritur tonet. Siç bëjnë me dije mediat spanjolle Perez është i vendosur për të mos bërë më lojën e sulmuesit dhe kërcënimi i tij ka qenë i drejtpërdrejtë. Gazeta “AS” nënvizon se klubi spanjoll ia ka bërë të qartë Mbapesë, se nëse ai vendos të rinovojë në Paris duhet t’i thotë lamtumirë njëherë e përgjithnjë mundësisë për të veshur fanellën e Madridit.
LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL