Gjysmë shekulli më parë, historia e Barcelonës do të fillonte të ndryshonte. Të hënën e 13 gushtit 1973, klubi i Barçës dhe Ajaksi arritën një marrëveshje në Amsterdam për transferimin e Johan Krojfit në kryeqendrën e Katalonjës për një milion dollarë (60 milion peseta).
Edicioni i “Mundo Deportivo”-s të mërkurën e 15 gushtit (në atë kohë nuk kishte gazeta sportive të martave) ofroi të gjitha detajet e negociatave, të mbyllura me një dolli në kopertinë midis Rinus Mishels (trajneri i Barcelonës), Johan Krojfit, Armand Karabenit, menaxher i Barçës, dhe Kor Koster, vjehrri dhe përfaqësuesi i legjendës holandeze. Një tjetër foto në të njëjtën kopertinë tregon shtrëngimin e duarve mes Karabenit dhe Jap van Prag, president i Ajeksit në atë kohë.
Dukej se telenovelës së gjatë të nënshkrimit të lojtarit më të mirë në botë nga Barcelona po i vinte fundi, një telenovelë tashmë pesëdhjetëvjeçare. Por nuk ishte ashtu. Federata holandeze (KNVB) vendosi të gjitha pengesat që mundi, me “dorën” e fshehur të Jap van Prag, presidenti i Ajaksit, i cili e zvarriti marrëveshjen aq sa mundi, pavarësisht shtrëngimit të duarve në dukje të sinqertë. Fillimisht e mohuan transferimin, më pas thanë se do ta dërgonin vetëm në dhjetor 1973 dhe më në fund filluan ta përpunonin. Por Krojfi i madh nuk mundi të debutonte si lojtar i Barçës deri më 28 tetor 1973 kundër Granadës.
DASHURIA KROJF-BARÇA – Historia e dashurisë mes Krojfit dhe Barçës kishte filluar falë Vik Bakingam, zbulues i Johanit, falë të cilit ai debutoi me Ajaksin në vitin 1964. Anglezi ishte trajner i Barçës midis dhjetorit 1969 dhe qershorit 1971 dhe gjatë asaj periudhe ai rekomandoi nënshkrimin e holandezi, por asokohe në futbollin spanjoll nuk lejohej të luanin të huaj! Johan dhe gruaja e tij vizituan Barcelonën në atë kohë dhe holandezi i ri madje pozoi për një reportazh fotografik, i veshur si “blaugrana”, në vitin 1970. Kufijtë e futbollit spanjoll u hapën në vitin 1973, kur Ajaksi i Krojfit ishte në zenitin e dominimit të tij në futbollin europian. Klubi holandez, si ndëshkim, arriti një marrëveshje me Realin për të transferuar sulmuesin e tij në Madrid, veprim ky që e krisi lojtarin me klubin, duke shtuar dëshirën e tij për t’u larguar. Kur Rinus Mishels mori drejtimin e Barcelonës, ai bëri të njëjtën gjë si paraardhësi i tij, Bakingham, duke rekomanduar që Barça të nënshkruante me Johan Krojfin. Kjo shkonte në të njëjtën linjë me dëshirën e lojtarit, që dukej i dashuruar pas Barcelonës. Interesi i Krojfit për Barcelonën u përhap shpejt në media. Nga fundi i qershorit 1973, në fund të një sezoni në të cilin Ajaksi kishte vendosur diktatin e tij në Europë, Krojf, me pushime në Algarve (Portugali), filloi të lëvizte për të shtyrë Ajaksin ta linte të transferohej në Barcelonë. Që nga ky moment, Barça dhe Ajaksi nisën një lojë shahu, që zgjati jo pak.
LOJË SHAHU BARÇA-AJAKS – Johan Krojf lëvizi shumë shpejt gurët e tij. Ai ia bëri të qartë klubit se ishte i mërzitur nga përpjekja e Ajaksit për ta transferuar në Madrid dhe madje kërcënoi se do t’i varte këpucët në gozhdë nëse nuk nënshkruante për Barçën, ose madje nuk do të luante në Kupën e Botës 1974 në Gjermani nëse federata holandeze (me Van Prag pas) do të ndalonte transferimin e tij te Barça. Ajaksi, duke parë që Krojfi deklarohej se nëse nuk shkonte te Barça mund të mbetej pa transferim (kërkuan 2 milionë dollarë, siç e njoftuan Barçën në La Korunjë, ku skuadra holandeze luante me Teresa Herrera) duket se iu bindën lojtarit.
FUNDI I LUMTUR – Një javë më vonë, Krojfi thirri Karabenin për të udhëtuar në Amsterdam. Van Prag e bëri të vështirë nga minuta e parë dhe kërkoi 112 milionë peseta, por në datën 13 gusht u mbajt “samiti vendimtar”, i cili përfundoi në një marrëveshje midis Barcelonës dhe lojtarit nga njëra anë dhe klubit dhe Ajaksit nga ana tjetër. Dy negociata paralele po zhvilloheshin në kate të veçanta të të njëjtit hotel. Van Prag e pengoi marrëveshjen për aq sa mundi, por më 18 gusht “KNVB”-ja (federata holandeze) dha dritën jeshile, me gjithë hezitimin administrativ të nxitur nga zhgënjimi i Ajaksit. “KNVB”-ja fillimisht specifikoi se ai mund të luante vetëm nga 1 dhjetori 1973, pasi në Holandë afati i transferimeve kishte skaduar më 30 korrik dhe tjetri nuk mund të çelej deri më 1 dhjetor. Pozicioni i federatës holandeze, si dhe ai i Ajaksit, ishte një burim polemikash në Holandë, një vend shumë i ndjeshëm në lidhje me liritë individuale dhe situata e Krojfit, një i “burgosur” në Amsterdam, u debatua në nivel politik. Van Prag nënshkroi transferimin më 19 gusht dhe Krojft mbërriti në Barcelonë më 23 gusht me gruan e tij, Dani Koster, por për shkak të pengesave federale ai nuk bëri debutimin e tij deri në tetor, kundër Granadës, kur “KNVB”-ja dha dritën jeshile dhe dërgoi kartën e transferimit.
PANORAMASPORT.AL