Ballkani është shumë afër që të përsërit suksesin e vitit të kaluar për t’u futur në grupet e garës evropiane, Europa Conference League.
Skuadra kosovare arriti në fazën e “Play-offit” të kualifikimeve duke mposhtur së fundmi skuadrën nga Gjibraltari, Lincoln Red Imps me rezultat të përgjithshëm 5-1, shkruan GazetaBlic Sport.
Ekipi i drejtuar nga Ilir Daja ka një sfidë relativisht të vështirë përpara ku për kundërshtar në “Play-Off” do ta ketë skuadrën nga Bjellorusia, Bate.
Ish lojtari kosovar, tashmë trajner, Robert Gjeraj ka komentuar rrugëtimin e Ballkanit në kualifikimet evropiane duke thënë që skuadra nga Suhareka ka treguar që është një skuadër serioze dhe këtë sipas tij e tregoi qysh në ndeshjen ndaj Ludogorets.
“Pavarësisht se i ka mposhtur kundërshtarët e Conference League, ndeshja më bindëse e Ballkanit ka qenë me Ludogorets, kanë bërë një ndeshje perfekte dhe kjo tregon që Ballkani mund ta përsërisë suksesin e vitit të kaluar. Kam parë që kanë shumë durim te lojtarët, BATE është në momente jo të mira pavarësisht se është një ekip me emër, duke pasur parasysh kualitetin që ka Ballkani mund të bëjnë më shumë dhe ta përsërisin sërish suksesin e vitit të kaluar”, tha fillimisht Gjeraj.
Gjeraj komentoi edhe largimin e Rrahmanit, duke thënë se Ballkani ka aftësinë që të zëvendësoi lojtarët duke mos lënë që mungesa e tyre të vërehet, që sipas tij e kanë bërë edhe në të kaluarën me Ermal Krasniqin dhe Arbër Hoxhën.
“Mendoj që te Ballkani nuk bënë shumë dallim mungesa e një lojtari. Kjo është vërtetuar edhe në të kaluarën me largimin e Ermal Krasniqit dhe Arbër Hoxhës, çdoherë ka pasur zëvendësim. Ndoshta më shumë do t’iu mungojnë Emërllahu dhe Zyba që është lënduar dje sesa që do të vërehet mungesa e Rrahmanit. Albin Berisha humbi disa raste ndaj Lincoln, por me golin e shënuar dje besoj që do t’i kthehet besimi pasi është lojtar me shumë potencial, që do të jetë një zëvendësues ideal i Albionit. Për këtë arsye besoj që Ballkani nuk bazohet në individ, por në lojë kolektive, posedimin e topit e kanë çdoherë, kështuqë kjo të lë të mendosh që mungesat te Ballkani nuk janë shumë të rënda, pasi Ballkani aplikon të njëjtën lojë pavarësisht mungesave që ka”, përfundoi Gjeraj për GazetaBlic Sport.