Merkatoja e kësaj vere ka qenë e nxehtë, teksa të shumtë ishin lojtarët që kanë lënë Europën për t’u transferuar në kampionatin arab, që në këtë merkato ka investuar jashtëzakonisht shumë. Kjo e ka shqetësuar jo pak trajnerin e Liverpulit, Jyrgen Klop, i cili ka përsëritur se investime të tilla po shkatërrojnë futbollin. Tekniku gjerman shtoi se është e pamundur të rivalizosh në merkato me klube si Çelsi apo edhe arabët që po investojnë pafund.

“Është problem kur ka shumë para, pasi sot është e vështirë të konkurrosh me Çelsin dhe vendet arabe. Arsyet për këtë, i dimë të gjithë. Disa klube e menaxhojnë fushatën e tyre të transferimit ndryshe nga të gjithë të tjerët dhe askush nuk e kupton 100% se si funksionon.
Është shumë e vështirë për ne, si një klub normal. Ajo që po bëjnë është në rregull. Unë nuk gjykoj askënd, por merkatoja jonë mbyllet pas pak ditësh dhe në Arabi mbyllet pas 3 javësh. Kjo do të jetë një tjetër vështirësi për ne”, u shpreh Klop.
REAGIMI I GUARDIOLËS – Me Klopin që më herët i bënte thirrje UEFA-s dhe FIFA-s për të ndërhyrë me datat e merkatos në Arabi, e cila mbyllet 3 javë pas asaj në Europë dhe rrezikon që klubeve të Premier Ligës t’u blejnë lojtarë të tjerë dhe i lënë në pamundësi për t’i zëvendësuar, Pep Guardiola, e ka shigjetuar rivalin e tij duke thënë se klubet e Premier Ligës kanë një lloj hipokrizie kur ankohen për mësymjen e arabëve.
Firmino u largua nga “Anfield” me parametër zero pas 8 vitesh për të firmosur me Al-Ahlin, ndërsa Henderson dhe Fabinjo firmosën respektivisht me Al-Etifaqin dhe Al-Itihadin për 53 milionë paund që shkuan në arkat e “reds”-ave.
“Të gjithë ankohen për Arabinë Saudite, por kur Arabia Saudite troket në derë, të gjitha klubet hapin portën dhe shtrojnë tapetin e kuq… duke i ftuar me fjalët: ‘Çfarë dëshironi shoku im?’ Gjithçka është në shitje…’ Kështu që janë të lumtur. Ah… ankohen për gjithçka, por të gjithë e hapin derën”.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL