Andrea Anjeli ka dalë kundër klubit dhe apeloi vendimet që u morën nga Gjykata Sportive në Federatën Italiane të Futbollit, për çështjen e manovrës me rrogat te klubi bardhezi gjatë periudhës së COVID për të rregulluar bilancet financiare. Bardheszinjtë vetë nuk apeluan dhe pranuan gjobën, por ish-presidenti nuk pranoi dënimin e tij me një vit e gjysmë përjashtim dhe me 60 mijë euro gjobë.
Apelimi i çështjes në fakt ka sjellë një ndryshim të masës disiplinore që u ndërmor ndaj tij. Avokatët ia kanë dalë që të ulin disi këtë dënim, duke e reduktuar atë në Apel. Kështu, dënimi nga 18 muaj përjashtim nga futbolli është kthyer në 10 muaj, ndërsa edhe gjoba prej 60 mijë eurosh, është bërë 40 mijë euro.
Anjeli u ndëshkua pasi ishte ai i cili i dha ”dritën e gjelbër” planit për të deklaruar se lojtarët e Juventusit kishin falur tre rroga mujore gjatë periudhës së pandemisë për të përballuar krizën ekonomike të klubit. Por në të vërtetë bardhezinjtë do ua paguanin në një kohë të dytë edhe në të zezë lojtarëve shifrën që u detyroheshin, gjë që u klasifikua si mashtrim financiar për të rregulluar bilancet negative.
PANORAMASPORT.AL