Përveç rezultateve, golave dhe ambien timit të Pulisiçit, Milani në këto dy dalje të para sezonale ka rënë në sy për mesfushën. Kruniçi si digë dhe Reijndersi me Loftus-Çikun po bëjnë diferencën. Holandezi përsëri me mbi 12 kilometra të përshkuara konfirmohet maratonomaku i skuadrës. Në krahasim me Bolonjën, 600 metra më pak dhe disa gabime në pasim, megjithatë cilësia është e dukshme.
Në kohët e fundit komplimentet për të janë me tepricë, teksa në sy ka rënë edhe Kruniçi. Pak i dukshëm në fushë, por tepër i dobishëm për manovrën, sepse di kur duhet të mbrojë e kur të ndërtojë. Sigurisht, Benaseri ofron një regji ndryshe, por me Milanin që anon nga sulmi, ekuilibrat e boshnjakut janë shumë të dobishme. Jo më kot ai ka rënë në sy të disa klubeve si Lioni e Fenerbahçe, që mund të rezervojnë blerjen e tij para fundit të merkatos së kësaj vere.
Duke u kthyer te Reijndersi, në të mirë e në të keq, ai dhe kolegu anglez do të ekuilibrojnë “varkën kuqezi”. 40 milionë euro investim dhe thjeshtësi në lojë, por edhe efikasitet. Koka e secilit është shpesh lart dhe dëshira për të luajtur në drejtim të portës rivale është evidente.
ANGLEZI – Stefano Pioli është ai që i ka dhënë besim i pari Sergej Milinkoviçit kur ai sapo kishte zbarkuar te Lacio. Në kërkesat e tij teknike gjithmonë ka pasur lojtarë me strukturë të rëndësishme dhe më në fund ka dikë si Loftus-Çik.
Mbi 190 centimetra i gjatë, anglezi është mesfushori tipik për të cilin trajneri ka disa kërkesa specifike: Shtyrje përpara dhe pasim të fundit. Gjithçka e kombinuar me pasime të thjeshta. U tha u bë. 28-vjeçari ndaj Torino dha asistin për Pulisiçin pikërisht me një driblim të bazuar mbi forcën dhe një pasim të thjeshtë që e nxori amerikanin përpara portës bosh. Do të duhet ta bëjë më shpesh e mundësisht të shënojë ndonjë gol më shumë, pasi deri tani ka qenë efikas taktikisht, por dikush në stolin kuqezi e në bordin drejtues pret që të shohë emrin e mesfushorit edhe në tabelën e golashënuesve.
Sigurisht, Pioli pret integrimin e Musahut, por ndoshta edhe diçka më shumë nga Pobega. Për momentin janë alternativa, por me “djallin” që pas 15 shtatorit do të luajë çdo tri ditë, kontributi i gjithkujt do të jetë i vyer. Amerikani ishte një blerje e kërkuar me ngulm. Për nga fiziku kujton Kesin, por driblimin e ka më të theksuar. Ekipi pret edhe kontributin e tij, ndërkohë që shijon treshen titullarë, e cila deri tani, edhe pse ende herët, po shpërblen besimin.
PANORAMASPORT.AL