Luçiano Moxhi, ish-drejtuesi i njohur i Juventusit, është i ndërgjegjshëm se skuadra më e fortë në këtë sezon në Itali është Interi. Klubi ka bërë lëvizje të goditura në merkato dhe që në start, loja e Interit ka lënë mbresa në ndeshjet e zhvilluara deri tani.
Në një editorial në “Libero”, edhe “armiku i madh” i zikaltërve, ka pranuar se ata janë “edhe më të fortë se vitin e kaluar”, duke theksuar se cilat ishin pikat ku mbështetej skuadra e Inzagit.
“Zikaltrit kanë fituar në Kaljari me një lehtësi çarmatosëse, meritë e një mesfushe që bën të lëvizë topi me shpejtësi, aq sa i merr mendtë kundërshtarëve, me mbivendosje perfekte si ajo e Turam dhe Dumfris në aksionin e golit të parë. Kthjelltësia e Lautaros, tipike e një sulmuesi race, ka bërë pjesën tjetër.
Çalhanollu është truri, dhe pasimet e tij gjejnë gjithmonë shokë skuadre lirshëm. Barela është njeriu i cili di të fitojë topin për të rinisur skuadrën dhe për pjesën tjetër mendojnë sulmuesit. Do të jetë një kundërshtar i vështirë për të gjithë”, shkruan Moxhi ne editorialin e tij.
PANORAMASPORT.AL