Mbrojtësi i Arsenalit, Oleksandr Zinchenko këmbëngul se mesfushori mbrojtës Thomas Partey është më i mirë se Casemiro dhe Rodri.
Zinchenko e ka lavdëruar Partey, duke këmbëngulur se ai është mesfushori më i mirë me të cilin ka luajtur ndonjëherë, duke qenë gjithashtu bashkëlojtar i Rodri dhe Fernandinho në Manchester City. Reprezentuesi ganez ka qenë qendror në formën e Arsenalit që nga ardhja në vitin 2020, duke bërë 103 paraqitje në të gjitha garat.
Duke folur për kanalin FIVE të Rio Ferdinand në YouTube , Zinchenko u pyet nëse Partey ishte superior ndaj Casemiros dhe u përgjigj: “Nuk dua të them diçka të keqe. Casemiro është një lojtar i klasit botëror, pesë Liga të Kampionëve. Por nëse do të më duhej të zgjidhja, do të ishte Partey. Kisha debatin në kokën time, se cili është mesfushori më i mirë me të cilin kam luajtur ndonjëherë – ishte mes Fernandinhos, Rodri dhe Partey. Është një e vështirë. E shikoja Fernandinhon kur ishte te Shakhtar dhe më ndihmoi shumë. E dua si një vëlla më të madh.”
Legjenda e United, Ferdinand, më pas e pyeti Zinchenkon nëse ai me të vërtetë mendonte se Partey ishte më i mirë se Rodri dhe ai u përgjigj: “Rio, të lutem eja dhe shiko atë në stërvitje. Ai ka gjithçka”.
Partey në fakt ka luajtur në një pozicion të ri këtë sezon, me Mikel Arteta që e përdori atë si mbrojtës të djathtë në tre ndeshjet e para të Arsenalit, në të cilat ata mundën Nottingham Forest dhe Crystal Palace, dhe barazuan me Fulham./Lajmi.net/