Skuadrat shqiptare janë afër kualifikimit në grupet e Conference League pasi kanë arritur në fazën Play Off të kësaj gare. Partizani dhe Struga megjithatë pësuan humbje në ndeshjet e para ndaj Astanas respektivisht Breidablik, kurse Ballkani fitoi në “Fadil Vokrri” me rezultat bindës 4-1 ndaj BATE Borisov.
Gazetari i njohur shqiptar, Sokol Xhihani ka komentuar për “GazetaBlic Sport” rrugëtimin e skuadrave shqiptare deri në këtë fazë duke thënë se kualifikimi eventual i tre skuadrave shqiptare në fazën e grupeve në Conference League do të ishte e jashtëzakonshme.
“Do ishte shumë e bukur nëse të treja skuadrat shqiptare do ia dilnin të kalonin në fazën e grupeve të Conference League. Ballkani është shumë me afër, ndërsa Partizani dhe Struga duhet të bëjnë shumë në ndeshjet e fundit për të prekur mrekullinë. Gjithsesi jam besimplotë që të treja mund t’ia dalin ta nderojnë Shqipërinë“, tha fillimisht ai.
“Kompeticionet Europiane për klube kanë treguar se pas heqjes së rregullit të golit në fushën e kundërshtarit të japin shpresë edhe për ndeshjet e dyta nëse ti e ke humbur të parën. Besoj kjo vlen edhe për Strugën që njësoj siç u mund në ndeshjen e parë mund të fitojë në Islandë. Janë një skuadër e vogël që po tenton të shkruajë historinë. Ndërsa Partizani ka një kundërshtar më të fortë. Por unë mendoj se Astana është shume e fortë në shtëpi, por shumë më pak jashtë saj. Kjo besoj e mban me shpresë Partizanin që do ketë me vete edhe publikun e zjarrtë. Mendoj që ka ardhur koha që Partizani të luajë në grupet e një kompeticioni Europian dhe kam besim që do ia dalë“.
Sipas tij Ballkani është aktualisht skuadra më e mirë shqiptare.
“Për momentin Ballkani po. Ka gjithë parametrat për t’u quajtur skuadra më e mirë shqiptare për momentin. Është shumë pranë pjesëmarrjes për të dytën herë në grupet e një kompeticioni për klube në Europë. Ka arritur për më tepër të arkëtojë edhe nga disa lojtarë që ka shitur jashtë. Kështu që po. Për momentin janë ekipi op top në trojet shqiptare“, shtoi Xhihani.
“E kam ndjekur pak debatin për trajnerin, Ilir Daja dhe të them të vërtetën më vjen keq që një trajner shqiptar i suksesshëm të sulmohet në atë mënyrë. Mendoj që po, Daja është trajneri më i mirë shqiptar për momentin dhe këtë nuk e them unë, por e thonë shifrat. Po arrin të shkojë në grupet e një kompeticioni europian për klube për të 3-tën herë dhe kjo besoj nuk është rastësi. Meriton më shumë respekt edhe nga kolegët e tjerë aty që tregojnë shenja xhelozie pa arsye. Shifrat dhe faktet nuk i lëviz dot askush. Daja u bë tranjeri parë që dërgoi një skuadër nga Kosova në grupet e Conference League dhe madje po e çon për herë të dytë brenda kaq pak kohësh. Meriton respekt“, përfundoi gazetari shqiptar për “GazetaBlic Sport“.