Pas paraqitjeve pozi tive në miqësoret e verës, Timoti Ueah nuk ka zhgënjyer as në dy ndeshjet e para zyrtare. Për të 126 minuta me Juven në Serinë A dhe flirtime me golin që nuk kanë ardhur as në mënyrë direkte e as nëpërmjet ndonjë asisti. Sidoqoftë, amerikani mbetet pozitiv, siç e ka dëshmuar në intervistën e dhënë për “La Gazzetta dello Sport”.
Si është të jesh një lojtar i Juventusit?
Nuk e kam arritur kohën kur babai im luante ende, por në shtëpinë tonë është folur gjithmonë për futboll. Im atë ka qenë juventin edhe në vitet e Milanit, ndaj për mua është një arritje e madhe zbarkimi në Torino, sepse përveç karrierës sime e di që kam gëzuar edhe babain.
Cili është, apo ka qenë, idhulli juaj?
Kur isha i vogël kam parë shumë video të babai tim, teksa më ka tërhequr shumë edhe Nejmari për gjërat e pabesueshme që bënte në kohët e Santosit. Kam mundur të vlerësoj edhe kampionë si Kafu, Davids apo Del Piero.
Si çdo futbollist i ri duhet të keni ëndrra. Cilat janë tuajat?
Deri tani i kam realizuar ato dy ëndrra që kam pasur. Njëra ishte që të bëhesha futbollist profesionist, ndërsa tjetra që të luaj në një kampionat botëror. Tani që jam te Juventusi po përjetoj një ëndërr të re dhe uroj të bëj krenarë tifozët e mi të ri.
Si është raporti juaj me Alegrin?
Trajneri është i përpiktë në çdo gjë që kërkon dhe shpjegon. Ai merret shumë me detajet dhe kjo më ka shërbyer shumë, pasi jam i ri dhe kam shumë për të mësuar në mënyrë që të përmirësohem. Ai bën gjithçka që të jetë i qartë, madje ndonjëherë ndalet dhe flet me mua në anglisht në mënyrë që të jetë i sigurt që i kam kuptuar të gjitha.
Por, ju flisni edhe italisht apo jo?
Në shtëpinë time italishtja është një gjuhë që është folur gjithmonë. Unë e flas, por do ta përvetësoj edhe më mirë tani që jam në Itali. Shokët po më ndihmojnë shumë.
Cili nga shokët ju ka qëndruar më pranë?
Për efekt gjuhe dhe kombëtareje kam qëndruar pranë Mekenit, të cilin kam thuajse dhjetë vjet që e njoh. Është argëtues dhe më ndihmon shumë, por të gjithë shokët janë aty për çdo gjë që kam nevojë. Shumë kohë po kaloj edhe me Kenin, i cili më ka njohur me Torinon dhe vendet që mund të frekuentoj.
Po me veteranët, si është raporti?
Kemi një kapiten fantastik si Danilo, i cili është ai që unë ndjek më shumë. Kam një raport të bukur edhe me Pogbanë. Na bashkon fakti se edhe unë kam vuajtur një dëmtim të rëndë si ai. Është një ndër liderët e grupit dhe një futbollist me nivel tepër të lartë teknik.
Mendoni se kjo Juve mund të fitojë titullin?
Ne do të bëjmë gjithçka hap pas hapi, por unë besoj në titull 100 për qind. Të gjithë së bashku do të bëjmë më të mirën për të fituar sepse jemi një grup që ka cilësi dhe uri.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL