Pritej me padurim goli i tij i parë me fanellën zikaltër dhe erdhi ditën e djeshme. Markus Turam është zhbllokuar ndaj Fiorentinës dhe jo vetëm që ka gjetur golin që hapi vallen e golave të Interit, por koleksionoi edhe një asist dhe fitoi penalltinë krahas një paraqitjeje fantastike në shërbim të skuadrës. Në fund të ndeshjes francezi nuk e fshehu lumturinë e tij për golin e gjetur, ashtu si nuk kurseu falënderimin për shokët e skuadrës dhe tifozët.
Si ndiheni për golin?
Jam shumë i lumtur për golin, dua gjithmonë të shënoj, por më e rëndësishme është të fitojmë ndeshjet. Ishte një ndjesi shumë e bukur të shënoja në “San Siro” përpara tifozëve tanë, por mbi të gjitha të fitonim një ndeshje në një mbrëmje që ishte perfekte për ne. Jam shumë i lumtur që u dhamë vazhdimësi fitoreve tona në dy javët e para.
Një aksion perfekt në rastin e golit të dytë. Dukeni gjithmonë e më shumë brenda mekanizmave të Interit.
Ky është një ekip i madh me lojtarë të mëdhenj që më ndihmojnë të përmirësohem çdo ditë dhe i falënderoj për këtë. Është e lehtë të luash me lojtarë të tillë. Pastaj kur ke një bashkëlojtar si Dimarko që hedh në zonë krosime të tilla mund të shënoj edhe me kokë. Është një ndjesi fantastike. Edhe me Lautaron funksiononi.
Ka pasur trajneri ndonjë kërkesë të veçantë?
Për Fiorentinën u përgatitëm si për çdo ndeshje, si çdo javë tjetër dhe bëmë atë që na kërkohet nga trajneri. Në sulm Inzagi nuk ka asnjë kërkesë të veçantë, është e lehtë të luash me një lojtar të madh si Lautaro. Unë shikoj lëvizjet e tij, ai shikon lëvizjet e mia. Tentojmë gjithmonë të bëjmë më të mirën.
Do t’ju ndihmojë Pavari?
Pavari ka fituar kudo që ka shkuar, si me Bajernin edhe me kombëtaren. Unë mendoj se ai do të bëjë shumë mirë tek Interi.
Në fund pati një kor të tifozëve për ju.
I falënderoj për gjithë ngrohtësinë dhe forcën që na japin. E bëjnë këtë edhe në transfertë si ndaj Kaljarit.