Kombëtarja e Kosovës do t’i zhvillojë këtë muaj dy ndeshjet e radhës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
“Dardanët” do të jenë nikoqirë të Zvicrës më 9 shtator, kurse pas tre ditësh do të luajnë në udhëtim ndaj Rumanisë.
Në prag të dy këtyre dy ndeshjve, përzgjedhësi i Kosovës, Primoz Gliha, ka mbajtur konferencë për media.
“Ne duhet të jemi gati edhe të vdesim në fushë, pasi luajmë për ekipin kombëtar dhe për një futbollist profesionist, nuk ka gjë më të rëndësishme. Nuk luajmë për para, por për dinjitet dhe duhet ta tregojmë në fushë këtë. Duhet të ndryshojmë disa gjëra në ekip. E para që duhet ta ndryshojmë është mentaliteti. Rezultati është fokusi ynë në këto ndeshje të mbetura eliminatore”, tha fillimisht ai.
“Besoj që e keni parë listën dhe aty ka disa emra futbollistësh të rinj. Janë disa futbollistë që kanë qenë pjesë e Kosovës U21 dhe po përpiqemi të bashkëpunojmë, për t’i vënë sa më shpejt në dispozicion të skuadrës së parë. Tani do të punojmë për të parë rezultatet në fushën e lojës. Rezultati është primar dhe në funksion të arritjes së tij, do të zgjedhim edhe futbollistët e skemën”, shtoi slloveni.
Gliha u ndal për të folur për Arbnor Mujën, i cili e la Kosovën për ta përfaqësuar Shqipërinë.
“Muja është një shembull, shembull që do të mësojmë në të ardhmen. Mirëpo, ai e kishte marrë vendimin, nuk kishim çfarë të bëjmë më. Do të tentojmë që lojtarët më të mirë t’i mbajmë në Kosovë. Po tentojmë të bashkëpunojmë me ekipin e U21, kemi disa lojtarë të rinj, të cilët do të na ndihmojnë të fitojmë ndonjë ndeshje. Ne si ekip në fushë jemi në gjendje të vdesim, me ndeshjen e kombëtares do të japim maksimumin”, deklaroi mes tjerash Gliha.
Kosova është e pesta dhe e parafundit në Grupin I me 3 pikë, aq sa ka edhe Bjellorusia një pozitë më lartë.
Në këtë grup prin Zvicra me 10 pikë, e ndjekur nga Rumania me 8 sosh. Izraeli është i treti me 7 pikë. Andorra është e fundit me vetëm 1 pikë.