Kombëtarja shqiptare e futbollit ka shënuar fitore kundër Polonisë, në një ndeshje shumë të rëndësishme në rrugën drejt Kampionatit Evropian “Euro 2024”.
Kuqezinjtë triumfuan 2:0 kundër Polonisë, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, kuadër të Grupit E në kualifikimet për Kampionatin Evropian, shkruan lajmi.net.
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho ua ka dedikuar fitoren të gjithë shqiptarëve.
“Së pari dua të bëjë kompliment për gjithë tifozët që ishin të mrekullueshëm. Kanë krijuar ambient fantastik dhe na kanë ndihmuar shumë”.
“Është fitore për gjithë popullin shqiptar. Ishte e rëndësishme të mos humbim. Por fitoren e kemi merituar. Në fillim po na mungonte një pasim i fundit. Por më pas morëm veten, bëmë më mirë në sulm dhe e bëmë atë që e themi shpesh, dhamë shpirtin dhe zemrën në fushë”, ka thënë Sylvinho.
Shqipëria me këtë fitore është lidere e grupit me 10 pikë të grumbulluara. Tetë pikë ka Çekia në pozitën e dytë, po aq sa Moldavia. Polonia është e parafundit me gjashtë pikë, ndërkaq e fundit është Ishujt Faroe me vetëm një pikë.
Ndeshja e radhës për Shqipërinë është në tetor kur e pret Çekinë në kryeqytetin shqiptar./Lajmi.net/