Kapiteni i Anglisë, Herri Kejn, duke folur për “Channel 4” pas barazimit me Ukrainën, pranoi se për herë të parë pas shumë kohësh Anglia i uli standardet e saj.
“Jam pak i zhgënjyer sigurisht. Ne kontrolluam lojën, por thjesht nuk ishim të saktë në pjesën e fundit të fushës. Ne nuk i patëm ato kombinimet e shpejta. Kur nuk jeni në 100% tuaj dhe ende merr një pikë, është shenjë e një ekipi të mirë. Nuk është fundi i botës”.
Pastaj sulmuesi i Anglisë uroi Kajl Uokerin pasi ai shënoi golin e parë me fanellën e kombëtares: “Isha shumë i lumtur për të! Ne bëjmë një shaka për këtë në çdo grumbullim. Dhe unë i them se para se të tërhiqesh do të të jap të gjuash një penallti! Jam i kënaqur për të”.
Kejn shpjegoi edhe pozicionin e tij të ndryshëm në kombëtare nga ai në klubin e Bajernit. Me fanellën e kombëtares, por edhe kur luante për Totenhemin, ai tërhiqej shpesh deri në mesfushë për të organizuar manovrën sulmuese: “Është një pjesë e rëndësishme e lojës sime. Ndonjëherë kur luan si sulmues i vetëm, mund të kesh periudha të gjata pa top dhe ndiej se duhet të futem pak në hapësirë për të marrë topin. Ndjej se mund t’i lojtarët kundërshtarë kur futem në ato hapësira dhe pasoj. Te Bajerni luaj më lart dhe po e shijoj shumë. Është një ekip i ri, një vend i ri, një përvojë e re, por unë thjesht po përpiqem ta marr atë me hapin tim dhe shpresoj se mund të vazhdoj të përmirësohem si lojtar. Unë jam ende duke u njohur me shokët e mi atje dhe gjatë sezonit taktika mund të ndryshojë në varësi të kundërshtarit. Së pari, unë luaj më lart. Dhe me ritmin që kemi në skuadër më lejon të luaj brenda dhe përreth zonës”.
Në fund, edhe një koment për opsionet në sulm të skuadrës së Sauthgejtit: “Ne kemi një thellësi të shkëlqyer dhe konkurrencë të madhe. Kjo ishte ndoshta hera e parë në një kohë të gjatë që kemi rënë nën standardet tona. Kjo ndodh në futboll, por ne jemi të uritur për t’u përmirësuar”.
ZBORI – Ndërsa Anglia përgatitet të vizitojë Skocinë nesër në “Hampden Park”, Herri Kejn komentoi atmosferën armiqësore që i pret në këtë stadium ku edhe ka shënuar.
Ndërsa tregoi se zbori i famshëm i Marinës Mbretërore e bëri atë kapiten të Anglisë: “Së pari, kam qenë shumë krenar që kam drejtuar djemtë në atë stadium. Zhurma atje është një nga atmosferat më të mira që kam parë ndonjëherë. Më kujtohet shumë mirë ai zbor. Garet i pyeti disa marinsa pas stërvitjes, se cilët ata mendonin se ishin liderët natyralë dhe mendoj se opinioni i tyre mund të më ketë ndihmuar që të bëhem kapiten”.
Përpara atij zbori, pak ditë përpara se të luhej ndeshja me Skocinë, sulmuesi anglez kishte shënuar vetëm 5 gola në 17 ndeshje me Anglinë. Sot ai është shënuesi më i mirë absolut i përfaqësueses me 58 gola në 84 ndeshje.
“Të qenurit kapiten më ka dhënë shumë besim. Ishte nisja e një rrugëtimi që askush nuk e dinte sesi do të shkonte. Fakti që ai më pa si një lloj lideri në skuadër më ka dhënë shumë besim”.
PANORAMASPORT.AL