Anglia do të përballet në ndeshjen e dytë të pushimit ndërkombëtar kundër rivalëve të vjetër të Skocisë sonte mbrëma. “Tre luanët” barazuan 1- 1 kundër Ukrainës në ndeshjen e tyre kualifikuese për “Euro 2024” të shtunën në mbrëmje. Skuadra e Garet Sauthgejtit ishte larg formës së saj të zakonshme. Oleksandr Zinçenko e kaloi Ukrainën në avantazh në fillim të ndeshjes, por Kajl Uoker barazoi pak para fundit të pjesës së parë.
Ky ishte rezultati i parë zhgënjyes i Anglisë që nga ndeshja me Francën, në Kupën e Botës vitin e kaluar. Anglia ka mundur Italinë, Ukrainën, Maltën dhe Maqedoninë e Veriut për të shëruar plagët e Katarit dhe ka shënuar 16 gola gjatë kësaj periudhe. Por ata do të jenë të dëshpëruar për t’u kthyer në rrugën e fitores në të ashtuquajturën “miqësore” kundër rivalëve të vjetër të Skocisë. Në 150 vjetorin e kësaj përballjeje, skocezët vijnë në në formë shumë të mirë, ndërsa renditen në krye të grupit të tyre kualifikues të “Euro 2024”, pasi arritën një fitore 3-0 ndaj Qipros. Skuadra e Stiv Klarkut nuk ka humbur asnjë nga nëntë ndeshjet e tyre të fundit dhe ecuria përfshin edhe një fitore surprizë 2-0 kundër Spanjës, duke dëshmuar se “Hampden Park” është një vend i vështirë për të shkuar.
Skocia dhe Anglia u përballën për herë të fundit në “Euro 2020” me ndeshjen e fazës së grupeve që përfundoi 0-0. Në 115 takime me rivalët e përjetshëm, Skocia ka fituar 41 herë, Anglia 48 dhe ka pasur 26 barazime. Përballja më e vjetër në historinë e futbollit nisi me takimin e parë në vitin 1872 në fushën e Kriketit në Perëndim të Skocisë, një ndeshje që përfundoi në barazim pa gola. Anglia do të luajë dy miqësore, kundër Skocisë dhe Australisë përpara se të rikthehet të luajë ndeshjet e saj zyrtare, në shtëpi kundër Italisë në mesin e muajit tetor.
PANORAMASPORT.AL