Kajl Uoker është përpjekur të tërhiqet nga kombëtarja dy herë nën drejtimin e Garet Sauthgejtit. Mbrojtësi i Mançester Sitit donte të tërhiqej pas “Euro 2020” dhe “Katar 2022”, por trajneri i Anglisë e bindi anësorin e djathtë të qëndronte në të dyja rastet.
Pasi Uoker, 33 vjeç, shënoi golin e tij të parë në 77 ndeshje ndërkombëtare në barazimin 1-1 me Ukrainën të shtunën, Sauthgejt zbuloi:
“Është e gjithë merita e tij dhe unë i kam ndryshuar mendjen që të heqë dorë nga tërheqja dy herë nga kombëtarja, pas Europianit dhe pas Kupës së Botës. Atij pëlqen të jetë këtu dhe donte të vazhdonte dhe tani po mendon se sa ndeshje të tjera mund të arrijë. Ai është një kritik i skuadrës. Nëse po flasim për lojtarë të klasit botëror në pozicionin e tyre në ekipin tonë, atëherë ai është ndoshta njëri prej tyre. Me Skocinë nuk do jetë miqësore. Na pret një atmosferë armiqësore”.
I pyetur për të zbuluar diçka më shumë për historinë që Sauthgejti tregoi për tërheqjen e zëvendëskapitenit të kampionëve të Anglisë, Uoker tha: “Po, në një moment në atë kohë, unë dhe Garet folëm. Në skuadër po hynin Arnold, Tripier dhe Ris Xhejms dhe ti mendon se ditët tuaja janë të numëruara. Dhe ti mendon sa pushime ke sakrifikuar. Unë e kam bërë këtë që kur isha 19 vjeç kur iu bashkova ekipit të parë. Tani unë jam 33 vjeç.
Unë dhe Garet kemi një marrëdhënie të mirë jashtë fushës, ne flasim dhe ndjej se ende mund t’i sjell diçka skuadrës. Pra, përse të tërhiqem?” Uoker bëri një ndeshje shumë të mirë në kualifikuesen e f undit kundër Ukrainës në Vroklavë të Polonisë.
Ai është një titullar në kombëtare, pavarësisht se Sauthgejt ka shumë alternativa. Skuadra e Anglisë mbërriti në Glasgou të shtunën vonë në mbrëmje për miqësoren e sotme kundër Skocisë. Sauthgejt ka të ngjarë të bëjë një sërë ndryshimesh dhe kjo mund të përfshijë dhënien e një fanelle titullari mbrojtësit të Çelsit, Levi Koluill, në një moment gjatë ndeshjes në “Hampden Park”.
PANORAMASPORT.AL