Trajneri i Rumanisë e komenton fitoren e mbrëmshme me Kosovën, flet edhe për skandalin e tifozëve.
Edi Iordanescu, selektor i Rumanisë, e ka komentuar fitoren e mbrëmshme ndaj Kombëtares së Kosovës me rezultat 2:0, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2024.
“Dardanët” u dorëzuan përballë rumunëve, në një ndeshje ku përjetuan gjithçka, duke u nisur nga provokimet skandaloze të tifozëve me pankarta e thirrje, për të vazhduar më pas me kartonin e kuq të Vedat Muriqit dhe me penalltinë e pritur nga Aro Muriç.
Trajneri rumun e konsideron këtë si një fitore të madhe, e cila e afron ekipin e tij me kualifikim në Kampionat Evropian, shkruan “Gazeta Express”.
Gjithashtu, ai ka folur edhe për incidentin që ndodhi në fillim të lojës, i cili bëri që ajo të ndërpritej për pak më pak se një orë.
“Përgëzime për djemtë, ishin të shkëlqyer. Kanë shfaqur karakter, personalitet. Kanë treguar se mund të kalojnë momentet e vështira. Ajo që ndodhë rreth përfaqësueses nuk mund të kalohet lehtë. Kemi djem me karakter, me zemër të madhe dhe me vlera. Morëm fitore të merituar dhe po vazhdojmë para me besim”, u shpreh fillimisht trajneri rumun pas lojës.
Ai i druhet një dënimi eventual që mund t’ia japin UEFA e FIFA Rumanisë për skandalin që ndodhi mbrëmë në “National Arena” të Bukureshtit.
“Natyrisht se nuk e kemi dashur atë, të humbim ndeshjen. Të humbim kualifikimin në tavolinë nuk do të ishte në rregull. Ka tifozë që na kanë përkrahur vazhdimisht dhe kërkoj prej tyre nga thellësia e zemrës të vazhdojnë para dhe të fokusohen në përkrahjen e ekipit nacional”, përfundoi Iordanescu.