Nënkampionët e Eu ropës do të zbresin sot në fushë ndaj Real Sociedadit për të nisur një tjetër edicion të Champions League. Interi do të synojë që qysh mbrëmjen e sotme prej orës 21:00 në “Reale Arena” të ketë një tjetër rrugëtim të sukseshëm si ai i sezonit të shkuar, me finalen e “Wembley”-t që është padyshim ëndrra e të gjithë rivalëve. Në konferencën e parë për shtyp të këtij sezoni europian, ka qenë i pranishëm krah trajnerit, kapiteni i Interit, Lautaro Martinez, i cili ka konfirmuar objektivin për t’i shkuar deri në fund kompeticionit.
Si ndiheni përballë skuadrave spanjolle?
Fakti është se ndihem mirë me ekipin tim, pavarësisht kundërshtarit. Ne po mundohemi të luajmë futboll të mirë, e nisëm sezonin si dëhsironim dhe nesër (sot) duam të jemi gati për atë që na pret. Fitorja në derbi na dha forcë dhe besim, por duhet ta lëmë pas dhe të fokusohemi në këtë kompeticion, ku kanë rëndësi edhe detajet.
A ju ka bërë Turam t’i harroni Xhekon dhe Lukakun?
Ai është një djalë i ri, bashkëmoshatari im. Ka ardhur në një stil tjetër loje nga ai që është mësuar dhe jam i lumtur sepse na lejon ta ndihmojmë. Na jep një dorë të madhe, ka shumë cilësi dhe shumë forcë, jam i lumtur që luaj me të.
Tre muaj nga Stambolli, a jeni në gjendje të përsërisni rrugën?
Ne jemi një ekip i ri, me disa lojtarë të rinj që kanë ardhur. Jam i kënaqur me punën që po bëjmë, ky është një rrugëtim i gjatë. Jemi ende në fillim, kështu që nuk mund të them me siguri. Por do të punojmë siç kemi bërë gjithmonë me trajnerin dhe stafin e tij, mund ta konfirmoj sepse e shoh punën që po bëjmë të gjithë. Nisim me ëndrrën për të mbërritur në fund, ai është objektivi.
Çfarë ndeshje prisni nesër (sot)?
Real Sociedadi është një rival interesant, me lojtarë të nivelit të lartë, ne do të duhet të bëjmë mirë sepse do të duhet t’i kushtojmë vëmendje aftësisë së tyre për të sulmuar, do të duhet të punojmë mirë në zotërimin e topit dhe në hapësira.
Keni nisur një sezon të mrekullueshëm si kapiten i Interit, çfarë ndjeni për momentin?
Marrëdhënia me ekipin është gjithmonë e njëjtë, jam përpjekur që nga dita e parë t’i jap një dorë Interit, të gjithë bashkë lojtarëve të mi, të rinj dhe me përvojë. Shiriti më bën të lumtur, është një burim krenarie dhe kënaqësie. Jam i kënaqur me këtë shirit.
Sa dëshironi të jeni lider për të ardhmen?
Asnjëherë nuk i dihet në këtë botë, sot mund t’ju them se jam shumë i lumtur që jam tek Interi, që mbaj shiritin e kapitenit, mbroj këto ngjyrat dhe këta tifozë. Mendoj për momentin, ky ka qenë gjithmonë mendimi im dhe jam i lumtur që jam këtu. Do të flasim me klubin për rinovimin.
Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL