Pas humbjes 5-1 me Interin, e ardhur pas një paraqitjeje shumë të shëmtuar nga “djalli”, në “Milanelo” zbarkoi “zoti”, të paktën kështu e quan veten Zlatan Ibrahimoviç. Kjo vizitë ishte si një dozë adrenaline për kuqezinjtë, në pritje të debutimit europian ndaj Njukasëllit, ku pavarësisht barazimit 0-0 në fund, të paktën loja nuk i mungoi Milanit.
Por fakti që derbi ka irrituar së tepërmi tifozët, suedezi ka dashur që të qetësojë ultrasit kuqezi me fjalë, por edhe me një videomesazh të lëshuar në rrjetet e tij sociale: “Përshëndetje të gjithë milanistëve. Sapo shkela në ‘Milanelo’ shkova me vrap te trajneri për t’i thënë se isha gati që të luaje ndaj Njukasëllit, por nuk më ka futur në listë, edhe pse isha në formë.
Pavarësisht shakave, vazhdoni të bëni tifozllëk për Milanin, do të shkojë gjithçka shumë mirë. Shihemi në stadium. Mirupafshim”. Dhe kaq mjafton që menjëherë mes tifozëve të rindizet shkëndija për të riparë Ibrën mes kuqezinjve, por kuptohet, këtë herë jo për të luajtur, siç konfirmoi edhe ai.
TAKIMI ME BOSIN KARDINALE – Dhe ashtu siç kishte nisur që të pëshpëritej menjëherë pas tërheqjes së Zlatanit, ky i fundit nuk i kishte mbyllur dyert një rikthimi si drejtues dhe nga dje ky fakt ka nisur që të bëhet realitet. Pasi vizitoi skuadrën, dje ishte radha që të drekonte përpara Njukasëllit me padronin e Milanit, Xherri Kardinale.
Ndonëse për momentin nuk ka ende një ide të qartë për rolin e ardhshëm të Ibrës, pa dyshim që duke parë figurën karizmatike që karakterizon nordikun, sigurisht që një rol i rëndësishëm do të gjendet për të në radhët e “Djallit”. Për të mos folur pastaj edhe për aspektin e marketingut, për të cilin Zlatani edhe pse jashtë fushe tashmë, vazhdon të mbetet një magnet.
PANORAMASPORT.AL