Do të jetë e çuditshme ta shohim Liverpulin e Jyrgen Klopit të nisë sezonin e vet europian sot nga Liga e Europës. Gjashtë herë kampionët e Europës do të përballen me austriakët e LASK-ut sonte mbrëma në “Raiffeisen Arena” në Grupin E, në të cilin bëjnë pjesë edhe belgët e Union SG dhe francezët e Tuluzës.
I pyetur për ambiciet e tij për Ligën e Europës, Klop tha për “TNT Sports”: “Ne kurrë nuk kemi pasur objektiva të pranuara publikisht. Së pari dhe më e rëndësishmja, mendoj se ne të gjithë duhet të sigurohemi që të gjithë, për ekipin që unë jam përgjegjës, të respektojmë konkurrencën në mënyrën e duhur dhe të respektojmë kundërshtarët në mënyrë të drejtë. Kudo që të shkojmë do të jetë një ndeshje e madhe për skuadrat rivale.
Për të gjithë ata që vijnë në ‘Anfield’, do të jetë një ndeshje e madhe. Edhe në Ligën e Kampionëve është gjithashtu e njëjta gjë. Dhe ne duhet të jemi 100 për qind gati për këtë. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Ne duam të shkojmë sa më larg që të jetë e mundur. Do të doja të shkoja në finale, natyrisht, por nuk e kam idenë nëse mund ta arrijmë atë, sepse do të ketë shumë ekipe fantastike futbolli mes nesh. Kështu që ne duhet të sigurohemi që të performojmë”.
GJERMANIA – Trajneri gjerman, i cili është ëndrra e federatës gjermane për t’i dorëzuar një ditë stolin e kombëtares, i vuri edhe njëherë kapakun ambicieve të DFB-së, që pritet ta zëvendësojë Hansi Flikun e shkarkuar me Julian Nagelsmanin dhe jo 53-vjeçarin:
“Unë jam i përkushtuar në besnikërinë ndaj Liverpulit. Zemra ime është këtu në Liverpul. Nuk mund t’i harrosh sikur të ishin asgjë 8 vitet e fundit këtu. Unë firmosa një kontratë këtu dhe mesa mbaj mend nuk isha i lidhur apo detyruar kur e firmosa, por ishte vendimi im i qartë”.
PANORAMASPORT.AL