Ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku ka thënë se në qytetin e Suharekës do të ndërtohet një stadium i ri i futbollit.
Këtë lajm i pari i MKRS-së e ka dhënë në Kuvendin e Kosovës, aty ku ka treguar se po presin që të caktohet lokacioni nga ana e kësaj komune si dhe projektin zbatues dhe më pas Qeveria e Kosovës do ta ndajë buxhetin për këtë projekt.
“Suhareka është e përfshirë në planin e investimit për infrastrukturën e futbollit për të cilën kemi diskutuar edhe me nivelin lokal dhe me organizatat vendore por edhe ndërkombëtare të futbollit me qëllim konsolidimin e infrastrukturës së futbollit. Në Suharekë planifikohet të ndërtohet stadiumi ku Ministria e Kulturës dhe e Sportit, komuna dhe Federata e Futbollit do t’i bashkërendojnë veprimet dhe do t’i ndajnë përgjegjësitë ndërmjet tyre. Komuna duhet ta sigurojë lokacionin, pasi të sigurohet lokacioni, komuna duhet ta hartojë projektin zbatues dhe në momentin që komuna i ndërmerr këto dy veprime, ministria dhe Qeveria e Kosovës do t’i ndajnë mjetet e nevojshme buxhetore për ndërtimin e stadiumit të ri të Suharekës”, ka thënë Çeku.
Ndërkohë, kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj ka shkruar në rrjetin social “Facebook” se është ndarë parcela për stadiumin e ri.
Ai tha se ky stadium është me kapacitet prej 17 mijë vendeve.
Postimi pa ndërhyrje i Bali Muharremajt
Ne jemi gati me detyrat tona si komunë për Stadionin.
Sipas asaj që u deklarua në fundmi nga Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit z.Çeku, se komuna duhet ta ketë projektin dhe lokacionin, siq theksuam edhe para disa ditëve ne u angazhuam seriozisht.
Ekziston lokacioni si parcelë katastrale, në sipërfaqen 16 hektar, ku është i miratuar në PZHK dhe HZK.
Poashtu e kemi edhe projektin ideor të stadiumit të qytetit – kategoria 4 me kapacitet rreth 17 mijë ulëse.
Ne i mirëpresim zyrtarët nga ministria në fjalë për të vazhduar me procedurat tjera.
Natyrisht sonte presim fitoren e klubit “ FC Ballkani”, ku bashkë besoj se do të festojmë në Sheshin e Qytetit.
Bali Muharrmaj