Daniele Adani, ish-futbollist dhe tashmë opinionist sportiv, mendon se Masimiliano Alegri po e tepron me deklaratat e tij për Juventusin. Trajneri deklaroi pas humbjes përballë Sasuolos se Juventusi nuk ishte skuadër për titull dhe nuk kishte atë si objektiv, por arritjen mes katër të parave për t’u kthyer në Ligën e Kampioneve.
“Interi është me shumë mundësi përpara Juventusit si për përbërje, ashtu edhe për ndërgjegjësim të aftësive. Dy vite më parë vinin Inzagi dhe Alegri. Ndërsa Interi merrte lojtarë me parametër zero, Juventusi paguante shumë. Dhe Alegri është trajneri më i paguar në Serinë A”, tha fillimisht ai në “Bobo TV”.
“Pse Juventusi ia ul vlerën lojtarëve të vet? Doni të më bëni të mendoj se mesfushorët e Juventusit janë inferiorë ndaj Boloka dhe Mateus Henrike? Juventusi pagoi 50 milionë euro Bremer që e ftoi Brazili, ndërsa Interi mori Darmian dhe Açerbin me parametër zero. Dhe kjo skuadër nuk duhet të jetë në garë për titull?”, ishte ironia e tij ndaj trajnerit të bardhezinjve.
PANORAMASPORT.AL