Beteja ka mbërritur në javën e shtatë, por përfundimi i luftës në Serinë A është ende larg. Interi, Milani, Juventusi, Atalanta dhe Napoli janë në renditje brenda katër pikëve pas gjashtë javësh, të gjitha me synimin për të fituar kampionatin.
Dikush vuan nga mendjemadhësia e një tjetër nga bollëku. Fakt është që secila nga pesë ekipet e para të Serisë A ka hallet e saj, të cilat shpreson t’i zgjidhë me kalimin e javëve. Ndalesa e tetorit për kombëtaret do të jetë një moment që do të ndihmojë rikuperimin e të dëmtuarve, ndërkohë që disa klube e vuajnë, pasi do të duhet të mbajnë vrapimin e t’i huazojnë lojtarët nëpër botë. Situata është e ndërlikuar, por detajet e situatave aktuale dhe perspektivat e çdo skuadre i ka shpjeguar në analizën e saj “La Gazzetta dello Sport”.
Në konsideratë është marrë aspekti mendor, infermieritë, kalendari, siguritë që secila skuadër ka, por edhe elementët nga të cilët pret ende të jenë më konstantë apo që të shpërthejnë. Për momentin asnjë trajner nuk është në rrezik, por Seria A, sidomos sivjet, është e mbushur me kurthe. Sasuolo e ka vërtetuar, por edhe mungesa e vijimësisë te të mëdhatë. Për më shumë detaje, shkrimi në vijim…
GJENDJA PSIKO-FIZIKE
INTER – Liderët e kampionatit (në golavarazh) janë të lodhur fizikisht, por duken të vetëdijshëm mbi atë që duhet për të mos dramatizuar tepër atë që është humbja e tyre e parë e sezonit në kontekstin e një fillimi të shkëlqyer të vitit. Sigurisht që pas derbit nuk kanë bindur kurrë në tri ndeshje, por një fitore bindëse do ta kufizonte gabimin e mesjavës në… një gabim.
MILAN – Mund të mendohej se shuplakat në derbi do të kishin bërë dëme të papërshkrueshme. Përkundrazi reagimi ishte i menjëhershëm. Barazimi 0-0 me Njukasëllin mund të duket si problematik, por në realitet ishte një provë force ku mungoi “vetëm” një gol. Më pas dy fitore në kampionat, shenjë se edhe këmbët po përgjigjen mirë për momentin.
JUVENTUS- Është një ekip që vrapon, që tregon një përgatitje të mirë fizike, por që mendërisht nuk ka gjetur ende stabilitet të besueshëm. Ndeshje me ritme të alternuara apo pjesë të ndeshjeve, me prezencë dhe vëmendje të madhe, me faza “hutimi” kolektive ku ka gabime në përqendrim dhe individuale.
ATALANTA- Nuk është versioni më i mirë i Atalantës së Gasperinit në të dyja fazat e lojës, por tani për tani është ende duke punuar dhe tri fitoret radhazi e konfirmojnë këtë.
NAPOLI – Në planin fizik, Napoli nuk duket se ka ndonjë problem të veçantë. Si në Bolonjë ashtu edhe ndaj Udinezes paraqitjet ishin pozitive. Aspekti mendor, megjithatë, është i ndryshëm: mbetet për t’u kuptuar se si ekipi do të përballojë tensionet e çështjes “Osimhen”.
KALENDARI
INTER- Salernitana dhe Bolonja para pushimit të kombëtareve në tetor ofrojnë mundësinë për një rinisje të menjëhershme pas ndalimit ndaj Sasuolos, ndërsa blloku tjetër është më i vështirë (Torino, Roma, Atalanta, Frozinone). Prandaj, do të ishte thelbësore që Interi ta arrijë me 6 pikë të tjera. Në alternim, natyrisht, edhe Champions-i.
MILAN – Shënime të dhimbshme. Pjesërisht për shkak të distancës mes njërës dhe tjetrës ndeshje në këtë periudhë, diçka që Pioli e ka vënë në dukje tashmë dy herë publikisht. Pjesërisht, sepse nga tani deri në pushimin e 19 nëntorit, ndër të tjera, “djalli” do të përballet me Lacion, Dortmundin, Juven, PSG-në (dy herë) dhe Napolin. Kalendar drithërimash.
JUVENTUS- Nga tani deri në pushimin e mesit të nëntorit, Juventusi është në pritje të tri transfertave, duke filluar nga ajo e së dielës, në Bergamo, ndaj një skuadre si Atalanta, që ka vetëm një pikë më pak në renditje. Në vijim, Milani dhe Fiorentina do të kompletojnë triptikun, të ndërthurur me derbin dhe ndeshjen kundër Bolonjës.
ATALANTA – Axhenda është veçanërisht e ngjeshur për Gjimshitin me shokë, të cilët do të përballen me Juventusin, Sportingun dhe Lacion në sekuencë para pushimit. Në bllokun e dytë spikat ndeshja ndaj Interit, si dhe sfida e dyfishtë e Ligës së Europës me Shturmin.
NAPOLI – Në kampionat sfidat janë brenda mundësive të kampionëve në fuqi: para pushimit është ndeshja jashtë fushe kundër Leçes dhe ndeshja në shtëpi me Fiorentinën. Në mes, megjithatë, është ndeshja kundër Realit të Madridit në Champions.
INFERMIERIA
INTER – Halli më i madh është problemi muskulor i Marko Arnautoviçit, i cili ndoshta do të rikthehet për derbin e Italisë më 26 nëntor, duke reduktuar në mënyrë dramatike rotacionet sulmuese. Huan Kuadrado do të rikthehet së shpejti, Stefano Sensi pak më vonë me synimin për të ecur lart në hierarki.
MILAN- Lajmi më i mirë ishte rikuperimi i Menjasë (edhe sikur Sportielo të ishte gati), i cili duhet të rikthehet ndaj Lacios. Kalulu do të rikthehet pas pushimit në mes të tetorit, Kruniç mes Juves dhe sfidës së parë me PSG-në. Pacientët afatgjatë mbeten Benaser dhe Kaldara.
JUVENTUS- Tre ishin jashtë ndaj Leçes: pacienti afatgjatë De Shiljo, që do të rikthehet në janar; Aleks Sandro, viktimë e një dëmtimi të shkallës së mesme në kofshë, që nuk do të luajë të paktën deri në fund të tetorit dhe Ken që u ndal nga një goditje në kërcim. Pa marrë parasysh situatën e Pogbasë, i cili nuk u rikuperua kurrë plotësisht, e që është ende në pritje të kundëranalizës.
ATALANTA – Nuk jemi ende afër rikuperimit të Skamakës dhe Turesë. Për sulmuesin e kombëtares italiane do të duhen ende disa javë, ndërsa për kolegun e tij jo para fundit të vitit.
NAPOLI – Mungesa e Rrahmanit mund të peshojë jashtëzakonisht shumë. Ai ka një dëmtim muskulor të shkallës së ulët dhe trajneri Garsia shpreson ta rikuperojë për Realin. Duket larg edhe rikthimi i Huan Zhesus, i cili ende po përballet me një dëmtim muskulor, por të një natyre më të rëndë.
SIGURITË
INTER- Një nga mesfushat më të forta në Europë, një mbrojtje me shumë rotacione, një Lautaro Martinez gjithmonë vdekjeprurës dhe një Federiko Dimarko që e kane zili klubet kryesore të kontinentit. Sa pak pika të dobëta në skuadrën e Simone Inzagit.
MILANI – Përveç “të zakonshmëve” Leao dhe Zhirusë – 7 gola dhe 4 asistime këtë sezon mes tyre – Reijnders dhe Loftus-Çik ishin kthesat e vërteta në Milanin e ri. Kontributi i Pulisiçit ishte gjithashtu i mirë.
JUVENTUS- Kieza është pika e fortë aktuale e skuadrës, dhe jo vetëm për 4 golat e shënuar në gjashtë ndeshje, si Vlahoviç. Transformimi nga anësori në sulmues është duke u zhvilluar, por mbi të gjitha ai po rritet në personalitet dhe lidership. Një tjetër pikë e fortë e skuadrës është se Mekeni, i cili pothuajse u lirua verën e kaluar dhe i shfrytëzuar jashtë rolit në këto gjashtë ndeshjet e para, po zgjidh problemet e ekuilibrit të mesfushës së Juves në krahun e djathtë.
ATALANTA – Kopmeiners dhe Lukman janë njerëzit te të cilët trajneri e di gjithmonë se mund të mbështetet, golat e rëndë vijnë prej tyre dhe është gjithnjë e më e vështirë mos t’i përfshish ata.
NAPOLI- Osimhen është padyshim pika e referimit për Napolin. Duke zhbllokuar gjithashtu Kvaratskhelian, i cili nuk kishte shënuar për më shumë se gjashtë muaj, mund t’i jepet limfë e re ekipit.
NË PRITJE TË…
INTER- Davide Fratezi, mbi të gjitha. Ai ka luajtur një ndeshje titullar dhe ka shënuar, por ende nuk ka hyrë plotësisht në rotacionet e trajnerit, me pritshmëri të mëdha. Dhe pastaj Kuadrado, i cili mund të jetë një burim i çmuar në të djathtë.
MILAN- Çukvueze, në veçanti. Deri më tani disa paraqitje, por pak në krahasim me potencialin e tij. Dhe gjithashtu duke pritur për Joviçin, aktualisht ende jashtë forme. Pas Kaljarit, vëmendja për hapat e ardhshëm të Adlisë po rritet në mënyrë të ndjeshme.
JUVENTUS- Vlahoviç në radhë të parë, por edhe Rabio dhe Ueah. I pari ka dhënë shenja shumë inkurajuese, para porte dhe më gjerë, por i duhet ende të bëjë hovin në cilësi. Francezi shumë i kërkuar në skuadër nga Alegri e nisi mirë, madje duke thyer akullin me golin, por ende nuk i ka përmbushur pritshmëritë (të larta) ndaj tij. I vetmi nënshkrim i vërtetë i verës, Ueah, po hyn në një realitet që është i ri për të: pas bëmave fillestare në turnetë verore, ai ende nuk e ka gjetur dimensionin e tij në Serinë A.
ATALANTA- Gasperini është i kënaqur me De Keteleren, por ka nevojë që të jetë më i mprehtë para portës. Belgu humbi edhe një mundësi të bujshme në Verona. Trajneri po pret edhe Hatebërin, i cili sapo është kthyer, për të zgjatur rotacionet në korsi.
NAPOLI – Në këtë pikë presim vetëm një shans për Lindstromin. Ai ishte nënshkrimi më i shtrenjtë i kësaj seance për klubin, por ende nuk ka debutuar si titullar.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL