Xhud Bellingam nuk luajti asnjë minutë kundër Las Palmasit në suksesin 2-0 të Realit. Por kjo nuk e pengon mesfushorin anglez që të kryesojë një renditje të veçantë mes pesë ligave më të rëndësishme në Europë.
Ai kryeson jo vetëm listën e golashënuesve në Spanjë – e ndan atë me Moratën dhe Levandovskin – por kryeson dhe listën e lojtarëve që kanë pësuar më shumë ndërhyrje të gabuara në Europë në këto javët e para të sezonit të ri. Hapi i tij i mrekullueshëm, aftësia e tij për të thyer linjat kundërshtare dhe aftësia e tij për të vënë në lëvizje lojën e skuadrës së Ançelotit kanë bërë që, ndër të tjera, britaniku të jetë objektivi kryesor i rivalëve kur përballen me Realin e Madridit.
Në shtatë ndeshjet që ka luajtur deri më tani në ndeshjet zyrtare, Bellingam ka pësuar 24 faulle, që do të thotë mesatarisht 3.4 faulle për ndeshje. Podiumi i futbollistëve që marrin më shumë shkelma nga ligat kryesore europiane plotësohet nga Lukas Okampos i Seviljes dhe Matia Zakanji i Lacios me 22 faulle.
SHIFRA TË PAZAKONTA – Nëse zbërthejmë të dhënat për faullet e fituara nga Bellingami në çdo ndeshje, rezulton se jo të gjithë rivalët i kanë ofruar një trajtim të njëjtë mesfushorit 20-vjeçar. Më “shembullorët” kanë qenë ata të Bilbaos, skuadër ndaj së cilës Bellingam ka fituar 6 goditje dënimi. Pastaj vjen Almeria, me 5 faulle të shkaktuara ndaj anglezit.
Po kështu, statistikat na tregojnë se mesatarja aktuale e lojtarit anglez është mbi atë që ka marrë sezonin e kaluar dhe vitin e kaluar. Në sezonin aktual, mesatarja është 3.4 hyrje për ndeshje, krahasuar me 2.2 sezonin e kaluar te Borusia e Dortmundit dhe 2.5 në 365 ditët e fundit (mbi 96% e mesfushorëve).
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL