Xhamal Musiala ka filluar së fundmi në prestigjiozen gjermane “Bild”, teksa ka trajtuar një sërë çështjesh të ndryshme, nga objektivat e deri tek e ardhmja te bavarezët. Prononcimi i “Bambit” (pseudonim, i cili i referohet Xhamal Musialës) nuk ka për të lënë shije të mirë në kampin e Bajernit dhe tifozëve, pasi ai e lë të hapur opsionin e largimit, pavarësisht se kontingjenti përbërës është duke korrur fitore të njëpasnjëshme me Herri Kejnin në krye.
QËLLIMI-”Dua të jem një nga lojtarët më të mirë në botë brenda dy vitesh. Kam ecur mirë deri në këtë fazë, por tani është momenti i duhur për të bërë hapin e madh në evoluimin tim. Shpresoj vetëm të jemi mirë fizikisht. Ambienti në Mynih është i veçantë, plus që kam marrëdhënie pozitive me të gjithë. Po shijoj çdo seancë stërvitore dhe ndeshje. Jemi në rrugë të mbarë drejt objektivave ekiporë. Të vazhdojmë kështu”, tha me nota të larta besimi 110-milionëshi i bavarezëve.
“TOPI I ARTË”-”Rruga që do të më dërgojë deri në kurorëzimin si fitues i këtij trofeu kaq prestigjioz në spektrin individual është larg. Duhet shumë punë dhe fat për të arritur. E ëndërroj të jem fitues i ‘Topit të Artë’. Ndonjëherë nevojiten të bashkohen disa rrethana në udhëtimin e suksesit. Gjithsesi, fokusi mbetet në Mynih, marrja e ndeshjeve me radhë dhe ruajtja e frymës pozitive, ashtu siç kemi vepruar në këtë fillimsezoni”.
RIKTHIMI NË ANGLI-”E pranoj pa të voglin dyshim se Premier Liga mbetet më tërheqësja në botë nga kampionatet në rang klubesh. Temp i lartë, ekipe me potencial të jashtëzakonshëm, arbitra që lejojnë lojën deri në limite, thjesht spektakolar. U drejtohem tifozëve të Bajernit se jam mirë në ekipin aktual, megjithatë së ardhmes nuk i dihet se çfarë do të ndodhë pas disa vitesh, përfundoi futbollisti me numër 42 në “Allianz Arena”.
Xhamal Musiala ka kontratë me kampionët e Bundesligës deri në vitin 2026 dhe ende nuk ka nisur kontakte serioze për të shtuar vitin e skadencës së bashkëpunimit. Etapën e shkuar lojtari në fjalë rezultoi deciziv në çështjen “titull”, pasi goli i tij në minutën e 87-të kundër Këlnit u dhuroi titullin e 11-të radhazi bavarezëve në Bundesligë dhe të 33-tin në historinë e kampionatit gjerman.
Musiala mbërriti nga akademia e Çelsit te Bajerni në vitin 2019, teksa rritja e tij ndoqi trend mbresëlënës. Ishte pikërisht Hansi Flik, ai i cili i dha shansin në Mynih dhe e bindi të ndryshonte kombëtaren. Prej asaj periudhe Xhamali numëron 31 gola dhe 24 asiste me rekordmenët në harkun e 130 prezencave, ndërsa me “pancerat” beniamini i klubit më të titulluar në Gjermani ka arritur 1 gol dhe 3 shërbime kundrejt 23 takimesh. Nëse i referohemi sezonit aktual, ende nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës pas plot 367 minuta. Tuhel i ka lënë rolin e 10-shit në ekip, por duke i mënjanuar protagonizmin, e ku topat furnizojnë vetëm Herri Kejnin, teksa talenti duhet të kënaqet me disa “thërrime” në raste përpara kuadratit.
PËRGATITI: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL