SC Gjilani ka konfirmuar se në derbin ndaj rivalit lokal, Dritës, nuk do të kenë përkrahjen e tifozëve të tyre.
Derbi i Anamoravës do të zhvillohet të dielën, në stadiumin “Sami Kelmendi” të Lipjanit.
Me kërkesën e klubit nikoqir, Dritës, kjo ndeshje do të zhvillohet vetëm me prezencën e tifozëve të tyre. Në njoftimin e klubit të Dritës rreth kësaj u tha: “Për shkak të kushteve infrastrukturore dhe situatës së krijuar në vend ditëve të fundit, ndeshja do të zhvillohet vetëm me pranin e tifozerisë vendase ‘Intelektualët’”.
Pas kësaj, klubi i Gjilanit ka kërkuar publikisht nga tifozët e vetë, veçanërisht nga tifo-grupi “Skifterat”, që të mos veprojnë në afeksion të dielën.
“Sport Club Gjilani ka pranuar zyrtarisht komunikimin nga Federata e Futbollit e Kosovës për zhvillimin e ndeshjes së xhiros së tetë në “Albi Mall” Superligë ndaj kundërshtarit FC Drita (Referuar më poshtë si klubi nikoqir).
Lokacioni për zhvillimin e takimit është caktuar stadiumi “Sami Kelmendi” në Lipjan, ndërkohë që me kërkesë të klubit nikoqir është vendosur që në stadium të jetë prezent vetëm një grupim i tifozërisë dhe në këtë rast është ndaluar prezenca e tifozëve në mënyrë të organizuar të cilët do jenë në mbështetje të klubit të Gjilanit.
Ftojmë gjithë mbështetësit e klubit, në veçanti grupimin “Skifterat” të mos veprojnë në afeksion, por të vazhdojnë mbështetjen dhe përkrahjen e ekipit edhe në format tjera, përveç asaj fizike në stadium.
Ne, do të vazhdojmë të mbetemi prapa politikave për afrimin e tifozëve më afër klubit, sepse mbështetja e tyre është e domosdoshme në të gjitha format”, njofton Gjilani.: