Çështja Negreira dhe hetimi i hapur zyrtarisht ndaj Barcelonës për korrupsion të gjyqtarëve, ka nisur “luftën” ndaj klubit katalanas nga rivalët në La Liga. Shembullin e parë e ka dhënë sot Sevilja, e cila nuk ka pranuar që të marrë pjesë në drekën e zakonshme institucionale mes drejtuesve gjatë ditës së sotme, teksa nuk ka dërguar askënd në tribunën VIP për duelin që po luhet në Katalonjë.
Sevilja fillimisht publikoi një komunikatë të ashpër kundër klubit katalanas, duke përmendur “indinjatën totale dhe refuzimin ndaj veprimeve të ish-drejtuesve të Barcelonës, praktika që mundësisht përbëjnë një krim për t’u shqyrtuar nga gjykata”. Klubi andaluz kërkonte njëkohësisht që të bëhej ”pastrim” në vijim por edhe në kampionatet ku ishin kryer këto shkelje të supozuara, duke lënë të kuptohet se kërkonte ndëshkim për katanasit.
Përgjigja e Barcelonës nuk ka vonuar, me një komunikatë po aq të ashpër.
“FC Barcelona dëshiron të demonstrojë publikisht refuzimin e saj ndaj një sulmi të pajustifikuar dhe të papërshtatshëm nga Sevilja, një klub që sot refuzoi të ulet në tryezën e drekës institucionale mes drejtuesve përpara ndeshjes mes dy skuadrave këtë mbrëmje në Estadi Olímpic Lluís Companys, ku edhe përfaqësuesit e saj refuzuan të marrin pjesë në tribunën e nderit.
Krahas kësaj përbuzjeje, klubi andaluz ka bërë publike një deklaratë në të cilën shpreh “indinjatën dhe refuzimin për praktikat e kryera nga ish-drejtuesit e FC Barcelona të akuzuar për “çështjen Negreira” dhe njofton mungesën e tyre në tribunë. Barcelona e kupton se ky është një sulm ndaj institucionit katalanas dhe një ofendim i papranueshëm”, shkruante fillimisht klubi katalanas, i cili më pas njoftoi ndërprerjen e marrëdhënieve institucionale me Seviljen.
“Duke pasur parasysh këtë qëndrim të papranueshëm dhe të pajustifikuar të Seviljes, FC Barcelona konsideron se të gjitha marrëdhëniet me institucionin e Seviljes janë ndërprerë derisa të korrigjojë pozicionin e saj aktual”, theksonte komunikata e Barcelonës.
PANORAMASPORT.AL