Bajerni do të kërkojë fitoren e dytë në fazën e grupeve karshi Kopenhagës. Edhe pse statistikat flasin në favor të gjermanëve, trajneri i bavarezëve, Tomas Tuhel, nuk është shfaqur aq i sigurt, duke u shprehur se i druhet shpejtësisë së vendësve dhe ecurisë së tyre në sezonin e shkuar, ku u morën barazimin në shtëpi kampionëve të Mançester Sitit, Dortmundit dhe Seviljës.
KUNDËRSHTARI- “Vendësit e Kopenhagës kanë shumë shpejtësi dhe janë tepër të lëvizshëm në manovra. Në repartin e mesfushës, kontingjenti i tyre karakterizohet nga lojtarë të fortë fizikisht dhe agresivë në mbrojtjen e topit. E njëjta tablo vlen edhe në mbrojtje, faktor se loja do të jetë e dyluftuar. Ata dëshirojnë të kalojnë veten dhe marrja e pikëve ndaj nesh do t’u jepte kurajë e shpresë mbi vazhdimësinë. E përgëzoj trajnerin vendës.
Jakob Nestrup i ka dhënë suksese të rëndësishme brenda kufijve. Ai ka stil të qartë loje, me formacionin modern 4-3-3. Janë tepër kompaktë dhe të rrezikshëm në dalje. Pres një përzierje në lojën e tyre mes topave të gjatë dhe kundërsulmeve të shpejta. I kam parë me kujdes takimet e danezëve në Champions. Mjafton t’i referohemi sezonit të shkuar për të kuptuar forcën e Kopenhagës si pritës.
Nuk humbi asnjë ndeshje në shtëpi etapën e shkuar, ndonëse në grup kishin përballë kampionët në fuqi të Mançester Sitit, Dortmundin dhe Seviljën”, tha me tone shqetësuese Tuhel.
ÇËSHTJA “BOATENG”- “Nuk jam në dijeni të ndonjë afrimi të ri në ekip deri në këtë çast. Boatengun e vlerësoj për kontributin në Mynih, por kalim i disa fazave për të qenë lojtari i Bajernit nuk është i lehtë. Fillimisht të jesh i pastër nga ana ligjore e më pas në detaje më konkrete”.
MANGËSITË NDAJ FAVORITEVE- “Nuk jemi të shqetësuar. Ne po analizojmë çdo ndeshje dhe po nxjerrim përfundimet tona, të cilat do t’i diskutojmë në ekip. Po përpiqemi të zhvillojmë një plan sa më konkret për t’i rregulluar brenda një kohe të shkurtër.
E rëndësishme është të qëndrojmë pozitivë. Prapavija s’është treguar në lartësinë e duhur. Takimet e fundit e kanë vënë në dukje këtë mangësi dhe pres reagim duke filluar nga dueli i sotëm. Objektivat e klubit janë madhorë dhe ne nuk ndryshojmë linjë, pavarësisht pengesave që do të hasim rrugës”, përfundoi Tomas Tuhel në daljen për media.
Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL