Sunday, 12. April 2026
Sport

Hendboll: Kosova e publikon listën e hendbollisteve për ndeshjen ndaj Danimarkës

GS 03/10/2023 2 Min. Lesezeit

Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka publikuar listën e lojtareve që do të marrin pjesë në ndeshjen me Danimarkën.

Danimarka, e cila cilësohet si një prej Kombëtareve më të mira në botë do të jetë kundërshtare e Kosovës në dy ndeshjet e javës së ardhshme.

  

Të enjten më 12 tetor, Danimarka e Kosova takohen në Horsens, ndërsa dy ditë më vonë skuadrat takohen në Prishtinë.

Ndeshjet i takojnë Grupit 8 të kualifikimeve për Euro 2024.

Selektori i Kombëtares A të Kosovës në hendboll, Agron Shabani ka ftuar tri hendbolliste  të cilat luajnë pikërisht në elitën e Danimarkës.

Në Kombëtare ka lojtare edhe nga klubet norvegjeze, gjermane, franceze e zvicerane dhe po ashtu lojtare të klubeve tona.

Portierja Aurora Kryeziu, që bën karrierë në Gjermani është emër i ri në Kombëtaren e Kosovës.

Për herë të parë janë ftuar edhe Arlinda Dinarica e Istogut dhe Dafina Mustafa e skuadrës zvicerane Bruehl.

Në listën e gjerë të selektorit Shabani janë edhe disa lojtare të reja (Angjelina Krasniqi, Elisa Mirdita, Arona Krasniqi), që gjatë kohës sa Kombëtarja A është e grumbulluar, do të kenë paraqitje me U19 e U17.

Në listën e zgjeruar ka edhe lojtare tjera (Blerta Ahmetxhekaj, Tina Hetemi) që janë në dispozicion të Kombëtares A.


Kombëtarja mblidhet më 9 tetor, derisa më 11 tetor është udhëtimi për në Danimarkë, ndërsa kthimi nga Danimarka është më 13 tetor.

Në grup me Kosovën e Danimarkën është edhe Polonia. /Lajmi.net/

  

  


Teilen: