Agjenti i Alphonso Davies ka folur për transferimin e mundshëm të mbrojtësit te Real Madridi dhe zbuloi se kanadezi flet me David Alaba ‘gjatë gjithë kohës’.
Mbrojtësi i majtë kanadez duket se nuk dëshiron të nënshkruajë kontratë të re me Bayern Munich, pavarësisht se ai do të jetë lojtar i lirë në 2025.
Besohet se Davies është në pritje të një telefonate nga “Santiago Bernabeu”, me Ferland Mendyn që pritet të largohet verën e ardhshme.
Agjenti i tij, Nedal Huoseh, pranoi se bisedimet nuk kanë përparuar me Bayernin pasi ka pasur disa ndryshime në bordin e klubit.
“Nuk mund të flas shumë për këtë, ne po bisedonim në fillim të verës me drejtorin sportiv dhe ish-drejtorin e përgjithshëm, por gjithçka u pezullua,” tha ai për 365 Scores, transmeton Lajmi.net.
Huoseh ka shtuar se Davis do të donte të ribashkohej me ish-shokun e skuadrës.
“Ka interes nga shumë skuadra. Jam i sigurt se Real Madrid mund të jetë një nga klubet që do të donte të nënshkruante me Davies së bashku me disa klube të Premierligës angleze. Ai luajti me Alaba për 3 vjet. Ata janë miq, flasin gjatë gjithë kohës. Bisedat që bëjnë së bashku privatisht, Davies nuk i ndan të gjitha informacionet me mua për këtë, por jam i sigurt që Davidi do të donte të luante përsëri me të”, shtoi ai.
Davies do të kthehet në aksion kundër SC Freiburg të dielën në Bundesligë, ndërsa Alaba aktualisht është i lënduar dhe do të humbasë ndeshjen e radhës të Real Madrid kundër Osasuna në La Liga të shtunën. /Lajmi.net/