Denzel Dumfris ka analizuar fitoren e Interit të tij ndaj Benfikës duke u ndalur jo vetëm te paraqitja e gjithë skuadrës, por edhe ajo e sulmuesve.
“Në pjesën e parë ne pritëm të gjenim hapësira për të sulmuar, kurse në të dytën ne sulmuam nga fillimi në fund. Kemi mënyra të ndryshme të lojës. Mendoj se ishte një paraqitje shumë e mirë në përgjithësi dhe padyshim merituam të shënonim më shumë gola”, e ka nisur holandezi fjalën e tij duke u ndalur te shanset e humbura të kapitenit: “Lautaro nuk shënoi? Ndoshta sepse ai shënoi shumë gola në fundjavë kundër Salernitanës. Kjo është arsyeja pse topi nuk donte të hynte ndaj Benfikës (qesh)”. Anësori i djathtë i Interit që e gjen gjithmonë veten në zonën kundërshtare falë inkursioneve të tij dhe tentativës për të asistuar shokët e skuadrës, ishte sërish protagonist me pasimin vendimtar për Turamin në fitoren ndaj portugezëve. “Ishte një ditë e rëndësishme për të gjithë ne sepse duhet të fitonim patjetër ndeshjen. Turam ama është një sulmues i jashtëzakonshëm, jam i lumtur që i kam dhënë asistin dhe që dërgoi topin në rrjetë. Duke pasur parasysh barazimin me Real Sociedadin ishte shumë e rëndësishme të fitonim dhe përveç të tjerave luajtëm një ndeshje shumë të bukur. Është një grup shumë i vështirë, nuk është asnjëherë e lehtë të luash kundër një skuadre si Benfika me lojtarë teknikë dhe këtë e dinim që nga viti i kaluar. Nuk ishte një kundërshtar i lehtë, ashtu si gjithë të tjerat në grup por ne jemi Interi dhe duhet të bëjmë maksimumin tonë në çdo ndeshje për të mbërritur synimet tona”, përfundoi numri 2 i zikaltërve.