Ndeshja mes Xhenoas dhe Milanit do të prodhojë polemika pa fund, për golin e shënuar nga Pulishiç pas një prekje të topit me dorë, por edhe për ndërhyrjen e rëndë të Majk Menja ndaj Kaleb Ekuban, Portieri i Milanit goditi me gju në gjoks ish-sulmuesin e Partizanit dhe u ndëshkua me karton të kuq në fund të sfidës.
Por kaq nuk mjafton për të qetësuar Xhenoan e cila kërkon tashmë një dënim model për portierin e kuqezinjve. Këtë e tregojnë qartësisht fjalët e presidentit Alberto Zangrillo pas përfundimit të ndeshjes.
“Po shkatërrohet kjo lojë, kërkoj respekt për thuajse 35 mijë tifozët në stadium”, tha ai për “Sky Sport”. “Trajneri Xhilardino nuk do të flasë sot për të mos u skualifikuar, ndoshta do të pezullohem unë. Është kështu prej kohësh tashmë, por nuk do të dorëzohemi. Pas golit kemi parë edhe një dalje të Menja të cilën unë si mjek me profesion do ta cilësoja vrasëse”, tha i irrituar ai para kamerave.
“Ajo që u pa sot është absolutisht e qartë. Ndeshja e radhës do të jetë shumë e vështirë, kemi edhe ne portierin tonë me karton të kuq. Të shohim tani se sa ndeshje pezullim do i japin Menja”, tha Zangrillo.
PANORAMASPORT.AL