Uli Hënes ka treguar së fundmi detaje prej sherrit të bujshëm nga kampi i Bajernit në vitin 2012, gjysmëfinalja e Ligës së Kampioneve, aty ku bavarezët sfidoheshin nga Real Madridi.
Pas pjesës së parë në “Santiago Bernabeu”, Roben dhe Riberi degraduan deri në përleshje fizike, e ku francezi goditi me grusht në fytyrë Robenin. Në dokumentarin e ri të Bajernit, i titulluar “Generation Wembley”, i cili i referohet tripletës së parë të rekordmenëve gjermanë, Hënes ka zbuluar ballafaqimin me “të dëmtuarin” Arjen Roben:
“Nuk do të luaj kurrë në një ekip me të (Riberin), ishin fjalët që Arjen më tha ditën e nesërme në takim. Më pas u përpoqëm t’i jepnim hakun e merituar palëve pas një situate aspak të denjë. Vitin pasardhës fituam gjithçka, e ku Roben u kthye në hero me golin në minutat e fundit kundër Dortmundit”, përfundoi Uli Hënes. Roben dhe Riberi luajtën së bashku me Bajernin në ciklin 2009-2019, e ku arritën të fitonin çdo trofe të mundshëm dhe lanë gjurmë të thella nga korsitë respektive të fazës ofensive.
PANORAMASPORT.AL