Bajern Mynih mori fitore të domosdoshme në Bundesligë ndaj Fraiburgut me shifrat e pastra 3-0.
Në këtë ballafaqimi u evidentua paraqitja spektakolare e dy prej lojtarëve me eksperiencë në Mynih, si Kingsli Koman dhe Leroi Sane. Më poshtë po ju prezantojmë disa nga veçoritë që vuri në pah fitorja në kampin e bavarezëve:
KOMAN, NË VERSION “E VJETËR”
Kingsli Koman përpara sfidës me Fraiburgun u kritikua së tepërmi në media rreth rendimentit të ulët në fillim të sezonit. Trajneri Tomas Tuhel e evidentoi këtë komponent në zonën e intervistave, ndonëse ai i besoi rolin e titullarit. Anësori francez u mbylli gojën të gjithëve me dopietën dhe ia shpërbleu besimin trajnerit. Edhe pse ende nuk është e qartë nëse goli i parë erdhi si rezultat i një goditjeje të kalibruar gati në perfeksion nga vija anësore apo u vërtit në trajtën e krosimit. Përtej finalizimeve, Koman u përfshi në numër të konsiderueshëm aksionesh të rrezikshme, ashtu siç bënte në periudhat pararendëse me Bajernin.
SANE, I PANDALSHËM
6 gola numëron Leroi Sane në harkun e 7 prezencave në Bundesligë. 27-vjeçari shënoi rrjetën e dytë për Bajernin, i cili kontribuoi në qetësimin dhe rrjedhshmërinë e lojës. Sakaq, Sane së bashku me Komanin u vlerësuan me notat më të larta nga mediat vendëse, element se ata kanë filluar të funksionojnë me ritëm të plotë. Elasticiteti në mesfushë, i pakapshëm nga krahët dhe vrastarë në goditje janë disa nga karakteristikat e futbollistit me numër “10” në gjirin e Bajern Mynihut.
PANORAMASPORT.AL